Spaho: Paketa antikrizë, vazhdim i demagogjisë së Ramës! 54 mijë familje do e paguajnë energjinë sa frëngu pulën (VIDEO)

Spaho: Paketa antikrizë, vazhdim i demagogjisë së Ramës! 54 mijë familje do e paguajnë energjinë sa frëngu pulën (VIDEO)

Deputeti demokrat Edmond Spaho, paketën antikrizë të prezantuar nga qeveria ditën e sotme, e cilëson si vazhdimin e linjës së demagogjisë së Kryeministrit Edi Rama, në një kohë që gjendja ekonomike është shumë e vështirë, për shkak të rritjes pa fre të çmimeve, të cilat kanë shkuar në nivele të papërballueshme për shqiptarët.

Spaho shtoi se në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh punë dhe rrogat janë ndër më të ulëtat në Europë.

Në një intervistë për MCN Tv, deputeti demokrat tha se për paketën Rama nuk ka shpjeguar asgjë konkrete, ka thënë vetëm fjalë të përgjithshme dhe se paketa është më e ulëta e të gjitha vendeve, e konfirmuar nga FMN dhe Banka Botërore.

Elementi më i rëndësishëm i atyre që shprehu qeveria sot, ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Do të preket një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare.

Thonë për ata që kanë ndërtuar sauna, vila dhe shpërdorojnë energjinë për ndriçimin e oborreve. Por në fakt do të preken rreth 220 mijë individë. Nëse do ta llogarisësh, i bie rreth 54 mijë familje të preken, çka do të thotë se 54 mijë familje shqiptare nuk kanë sauna dhe do e paguajnë energjinë elektrike si frëngu pulën.

Pse tua kalojmë qytetarëve këtë barrë, kur sot çmimi është më i larti në rajon. Ne paguajmë 12 lekë për kilovat, në kushtet kur jemi prodhues të mirë të energjisë elektrike. Si mesatare e pesë viteve të fundit ne plotësojmë 83% të nevojave.

Humbjet teknike dhe vjedhjet në rrjet, janë mbi nevojat që ne kemi për të importuar. Kryeministri duhet të përqendrohet tek vjedhjet, humbjet, mosfaturimi. Shesin lirë dhe blejnë shtrenjtë dhe gjithë kjo i lihet mbi shpinë qytetarit shqiptar. 20% e energjisë elektrike në rrjet nuk dihet ku shkon.

Të gjitha humbjet shkojnë në 650 milionë euro. Këtu ta kërkojë kryeministri mundësinë si ta lehtësojë barrën e energjisë. Është i vetmi vend në Europë që po rrit çmimin e energjisë elektrike, të tjerët po subvencionojnë. Kryeministri të përqendrohet në keqmenaxhimin e KESH, humbjet teknike i ka në nivele të larta, mosfaturimet, vjedhjet.

Të kooperojë më mirë me Kosovën e cila e prodhon energjinë nga qymyri dhe ne nga uji, që të kompensohen diferencat që krijohen nga kushtet e motit. Këto dhe një sërë masash të tjera, një pjesë e të cilave nuk japin zgjidhje të menjëhershme, por tregojnë keqmenaxhimin e sistemit ndër vite.

Nuk është shtuar asnjë burim hidrik apo me bazë fosile që të diversifikojë prodhimin. Zgjidhja me anijet lundruese është joefikase, për shkak se kostoja është shumë e madhe dhe ndotja po ashtu pasi punohet me diesel d2.

Lidhur me Bordin e Transparencës që përcakton çmimin e karburanteve, deklaroi se nuk është bord transparence, por i hajdutëve, ku oligarkët në bashkëpunim me qeverinë, bien dakord për të mbajtur atë nivel çmimesh.

Edhe në ditën më të lartë të një barrele në tregun ndërkombëtar, duhet të ishte 16% më ulët në Shqipëri. Ky bord as nuk duhet të ishte krijuar.

Ata përfitojnë nga shitja e naftës, qeveria nga taksat. Janë 400 milionë euro më shumë që janë mbledhur. Janë para që i kanë marrë më shumë nga të ardhurat tona.

Lidhur me situatën në Partinë Demokratike, Spaho tha se gjendja në grupin parlamentar dihet dhe ajo reflekton të gjitha zhvillimet e 12 muajve të fundit, por u shpreh optimist pasi për fat në bazë nuk është kjo gjendje.

Pas zgjedhjeve që bëmë në struktura ka unifikim të tyre, më vjen keq që në grup nuk kuptohet se në ç’fazë të rrezikshme ka hyrë vendi dhe duhet të jenë të unifikuar. Iniciativat ligjore që ata marrin shkon në interes të Ramës.

Përpjekjet kanë qenë të vazhdueshme, në kontakte me pjesën dërrmuese të grupit. I bëj thirrje gjithë individëve që nuk i lidh asgjë në bashkëpunim me qeverinë që të ngrihen në interesin e demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët po kalojnë periudhën më të vështirë të viteve të fundit, të nisin protestat deri sa të rrëzojnë.

Pas mbledhjes së fundit të kryesisë së PD, të gjithë kemi shkuar nëpër qarqe, sipas emërimeve, duke kontaktuar me kryetarët e degëve dhe kryesitë që ti organizojmë në funksion të objektivit të largimit të kësaj qeverisje, por edhe për organizimin e zgjedhjeve vendore.

Çdo protestë është për largimin e qeverisë dhe kushdo mund të marrë pjesë.

Lidhur me dëbimin e trupit diplomatik të Iranit, Spaho tha se është një vendim që do të duhej të ishte marrë me kohë, pasi republika islamike e Iranit, ka qenë shumë agresive ndaj Shqipërisë dhe një muaj më parë u anulua konferenca pas kërcënimeve për një akt terrorist.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy