
Me sulmet që vazhdojnë në të gjithë Ukrainën, Organizata e Kombeve të Bashkuara raporton se më shumë se 4.9 milionë ukrainas janë larguar deri më tani nga vendi si rezultat i luftës.
Rreth 4.934.415 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar qysh nga nisja e agresionit rus më 24 shkurt.
Këto të dhëna janë publikuar nga agjencia e refugjatëve pranë OKB, UNHCR, raporton BBC.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, thotë se rreth 215.000 persona nga vendet e treta që ndodheshin në Ukrainë, kryesisht studentë dhe punëtorë emigrantë, janë larguar gjithashtu drejt vendeve fqinje.
Kjo do të thotë se më shumë se pesë milionë njerëz në total janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, duke u cilësuar si një nga krizat më të shpejta të zhvendosjes dhe një prej krizave më të mëdha humanitare.



