
“Kam qenë gei, por u kurova me ndihmën e grave të bukura”.
Kjo është një tjetër në listën e gjatë të deklaratave bombastike të presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte. Kjo frazë është shkëputur nga një fjalim që Duterte, një lider që është përpjekur të krijojë për veten imazhin e një burri që adhuron gratë, ka mbajtur para komunitetit filipinas në Tokio, ku ai ka folur për rivalin e tij opozitar, Antonio Trillanes, të cilin e ka cilësuar si homoseksual.
Trillanes kritikon ashpër luftën e dhunshme dhe ekzekutimet pa gjyq që Duterte ka ndërmarrë vitet e fundit në vend ndaj trafikantëve të drogës.
Gjatë fjalimit, Duterte pasi e ka cilësuar gei senatorin Trillanes, ka pranuar se edhe vetë ka qenë “pak gei”, kur ishte i martuar me Elizabeth Zimmerman, një martesë që u anulua në vitin 2000.
“Por kura ishte frekuentimi i grave të bukura dhe i partneres aktuale, Honeylet Avancena. U ktheva sërish burrë. Pra ato që më shëruan ishin gratë e bukura. Nisa t’i urrej burrat e bukur dhe të preferoj gratë e bukura”, tha ai.



