Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, pretendimet e Prishtinës zyrtare për fakte që implikojnë Beogradin në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, thotë se nuk ka asnjë dyshim pavarësisht nga propagande intensive që po bën Aleksandar Vuçiç për të fshehur këtë aktivitet terrorist, që pas këtij akti qëndron Beogradi.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se SHBA-BE dhe ndërkombëtarët nuk e vënë në dyshim që Beogradi është i implikuar në këtë çështje, pasi vetë organizatori Milan Radoiçiç e pohoi vetë që ka qenë në krye të këtij akti terrorist.
Kjo tregon hapur që është mbështetje nga Beogradi. Këta terroristë janë stërvitur në poligonet stërvitore të ushtrisë serbe.
Për më tepër që armatimet që kishin nuk mund të gjenden në tregun e zi, por janë në arsenalin e ushtrisë serbe.
Të gjitha këto fakte çojnë në një përfundim të saktë, që Serbia është në dijeni të aktit terrorist që u krye, patjetër që mundohet të fshihet.
Milo tha në vijim se Shqipëria nuk ka asnjë arsye që të hezitojë të dënojë me ashpërsinë më të madhe këtë akt terrorist dhe implikimet që ka Beogradi në të, duke shtuar se këtu bëhet fjalë për Kosovën, për shqiptarët e Kosovës, vëllezërit tanë, shtetin e tyre, të cilët tek ne kanë parë gjithmonë mbështetësin më të madh.
Sipas tij, SHBA do të përpiqen që të mos e bëjnë Serbinë pjesë të planit rus dhe për këtë arsye SHBA dhe BE kanë qenë të kujdesshëm.
Milo tha se Aleksandar Vuçiç është jo vetëm President i Serbisë dhe nacionalist serb, por vazhdon të ketë mendësinë e Sllobodan Millosheviç, ministër i të cilit ka qenë.
Në këtë linjë, ai tha se në Serbi ka plane nacionaliste agresive, të cilat u trembet edhe vetë Vuçiç.
Ndërsa Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e sheh si një politikan shumë dinamik dhe këmbëngulës, teksa vlerësoi si me rëndësi qëndrueshmërinë e treguar prej tij, por nënvizoi se duhet të kihet kujdes që të mos kalohet masa dhe ka nevojë që të sillet më shumë si diplomat nga sa po sillet deri tani.
Këtë arsyetim të tij, Milo e mbështeti në argumentin se Kosova ka qenë produkt i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për rrjedhojë duhet të jetë në marrëveshje me ta.



