
"Vendbanimet e braktisura si rezultat i pabarazive të theksuara rajonale pas vitit 1990" është tema me të cilën prof. Dhimitër Doka u paraqit në Konferencën Shkencore “Qendrat e banuara të Shqipërisë”. Në studion e lajmeve të MCN TV, Doka tha se mungesa e politika zhvillimore do ta çojë akoma më tej shpopullimin e disa zonave, të cilat u përballën me largimin e banorëve pas viteve ’90.
Mungojnë politikat zhvillimore për të bërë një balancim për këto zona. Unë isha në këto zona dhe kur flet me to si e shikojnë gjendjen. Ka potencial për të qëndruar. Por popullsia nuk e gjen veten. Nëse mungojnë elementët bazë, duhen ndërhyrje me politika për t’i mbajtur këto zona në jetë. Në Fushë-Arrëz, shpresa ishin misionarët. Ne na duhet rajonizim dhe mbi bazën e tij të funksionojë zhvillimi i territorit.
Doka i ndau në tre periudha të rëndësishme lëvizjet e popullsisë brenda kufijve.
Vendbanimet që tejpopullohen dhe vendbanime që braktisen. Ne kemi ndryshime shumë të mëdha 25, 45-90 dhe pas 90-s. Duke filluar nga viti 55 deri në 90 kemi një rritje të konisderueshme të vendbanimeve, qytetet e reja industriale. U rrit numri nga 24, në 69 qytete. Kjo çoi në transformimin e tyre pas ’90. Në literaturë quhen monostrukturore dhe monofunksionale. Në momentin kur nuk funksionuan më si qendra industriale, ato u braktisën.



