
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, doli sot në një konferencë për media, teksa dy ngjarjet e rëndë që sollën tetë viktima ndodhën në harkun kohor të dy ditëve në vend.
“Rritja e kriminalitetit është e pavërtetë. Kemi të meta sigurisht dhe i njohim ato, ndaj jemi duke përgatitur një ndryshim të thellë të drejtuesve të policisë në nivel qarku”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Duke u shprehur i tronditur nga dy rastet e fundit, Çuçi drejtoi gishtin nga prokurorët e gjyqtarët.
Sipas tij, ata lehtësojnë masat dhe i dërgojnë në shtëpi shtetasit e prangosur nga policia. Çuçi nuk hezitoi të përmendte edhe emrat.
“Mbi të gjithë duhet të reflektojnë prokurorë e gjykatës që nuk kanë kaluar vetingun. Policia parandalon por nuk dënon shkelës e kriminelë. Mjafton të marrim një shembull, kemi shtrënguar masat kundër armëjmbajtjes pa leje. Janë ndaluar në flagracë 3 persona me precendtë të rrezikshëm. Madje në një rast, arma kishte edhe fishek në fole. Por prokurorët e gjyqtarës, si Elida Çufi në Shkodër, apo dyshja Elona Alvora dhe Albert Spiro në Vlorë. Si dhe prokurori Erind Rahovica dhe Piro Sota në Fier. Prokurorët dhe gjyqtarët, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese, duke i çuar në shtëpi të andehurit. Duhet një reagim i shpejtë dhe enmergjik nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.”
Sipas ministrit, do të krijohet një kuadër rregullator i ri. Kjo, edhe për të gjurmuar të ardhurat e drejtuesve të mjeteve të shtrenjta, të cilët kanë gjoba të përsëritura.
Pajisja me kamera të trupit do të përfundojë së shpejti bëri me dije ministri. Por, kërkoi angazhim për të gjithë, pasi Policia e Shtetit, nuk mund të parandalojë çdo krim në çdo orë të natës.
“Disa flasin me të madhe për rritjen e kriminalitetit apo fataliteteve në qarkullim. Kjo është e pavërtetë, faktet dhe shifrat pohojnë të kundërtat. Kjo nuk do të thotë se policia nuk ka të meta dhe po përgatitemi për një fazë të re reformash. Do të ketë një ndryshim të thellë për titullarët në nivel qarku. Do të krijojmë një kuadër rregullator të ri për të futur praktikat e hetimit të të ardhurave edhe për drejtuesit e makinave të shtrenjta, që kapen në shkelje të përsëritur. Efektivët do të pajisen të gjithë me kamera trupi. Do të kalojmë në një nivel tjetër në administrimin e territorit. Do të kontrollojmë me teknologjinë më të mirë të botës në kontrollin e terriutorit, do të jemi në nivelin më të lartë për nga cilësia.”



