
Qeveria e Kosovës po shqyrton vendosjen e taksës së përdorimit të rrugës për autostradat e vendit. Pas vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit, e cila prek një numër të madh shtetasish të Kosovës, pritet që edhe dy autostrada të tjera të bëhen me pagesë. Siç raporton Evropa e Lirë, bëhet fjalë për autostradën “Ibrahim Rugova” që lidh Kosovën më Shqipërinë, ndërtimi i së cilës ka përfunduar në vitin 2013 dhe autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh Prishtinën me Shkupin dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Zëvendësministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Kadriu, thotë se taksa rrugore do jetë e përballueshme për qytetarët e Kosovës.
“Në vitin 2019 do të hyjmë në procesin e studimit të fizibilitetit dhe do të presim një vit ose dy që të përgatitemi, të marrim opinione, debatet me qytetarë, me organizatat joqeveritare dhe të vendosim një taksë. Por, që taksa e Kosovës do të jetë shumë herë më e ulët sesa ajo e Autostradës së Kombit“, thotë Kadriu.
Nga e hëna, të gjitha automjetet që kalojnë në Rrugën e Kombit paguajnë nga 5 deri në 22.5 euro, varësisht nga pesha e automjetit.
Çmimi për këtë taksë po kundërshtohet nga qytetarët dhe bizneset e Kosovës, pasi llogaritet se janë shfrytëzuesit më të shpeshtë të autostradës.



