
Autoritetet e Ekuadorit njoftojnë se kreu i bandës Los Choneros, është vrarë në Kolumbinë fqinje. Një trup i gjetur në një zonë pyjore në provincën Antioquia është identifikuar si ai i Junior Roldan.
Ai iku në Kolumbi pasi u plagos në një tentativë për t’u vrarë në vendlindjen e tij Ekuador.
Roldan ishte liruar nga burgu në muajin shkurt. Trupi, i cili kishte një plagë me armë zjarri në kokë u gjet të shtunën.
Kryebashkiaku i Fredonia, qyteti kolumbian ku u gjet trupi i tij, tha se dyshohet se ishte vrarë diku tjetër dhe trupi i tij ishte hedhur në vendin ku u gjet, pasi asnjë nga vendasit nuk e njihte.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit tha se ekspertët mjeko-ligjorë kishin mundur të identifikonin trupin falë tatuazheve të Roldan dhe shenjave të tjera identifikuese.
Roldan u konsiderua i arratisur pasi hoqi byzylykun elektronik të kyçit të këmbës që i ishte vendosur kur u lirua nga burgu.
Kreu i bandës kaloi në Kolumbi pasi u qëllua dhe u plagos në mars nga anëtarët e bandës rivale Los Lobos. Ai i mbijetoi gjithashtu një sulmi tjetër në të cilin dronët e ngarkuar me eksploziv u vendosën mbi krahun e burgut në të cilin ai qëndronte në atë periudhë.
Pavarësisht kësaj historie të përpjekjeve të mëparshme për jetën e tij, komandanti i policisë së Ekuadorit, gjenerali Fausto Salinas, tha se raportet e inteligjencës sugjeronin se vrasja e tij nuk ishte pjesë e një lufte midis bandave rivale.
Megjithatë, gjenerali Salinas nuk dha asnjë detaj se kush mund ta ketë qëlluar dhe pse.
Policia tha se vdekja e tij ishte një goditje për bandën e tij, Los Choneros, bandë e cila angazhohet kryesisht në trafikun e drogës dhe zhvatjes.
Pasi shumë prej anëtarëve të saj u burgosën, ajo u bë një nga bandat më të fuqishme të burgjeve të Ekuadorit, duke kontrolluar shumë aspekte të jetës brenda burgjeve të vendit dhe gjithashtu duke drejtuar operacionet kriminale nga prapa hekurave.
Los Choneros mendohet të ketë qenë pas disa prej përleshjeve më të tmerrshme të burgjeve në muajt e fundit në Ekuador, në të cilat dhjetëra të burgosur u vranë dhe pati rastet që iu prenë kokat.
Vitet e fundit, ajo ka krijuar lidhje me kartelin Sinaloa të Meksikës, një aleancë që e ka rritur më tej fuqinë e saj.



