
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Hekuran Gjonin, i akuzuar për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
74-vjeçari akuzohet se më 1 shkurt 2025, për motive banale ka debatuar dhe është konfliktuar me djalin e tij Asim Gjoni 37 vjeç dhe në konflikt e sipër e ka qëlluar me mjet prerës dhe si pasojë e plagës së marrë në ijën e majtë, humbi jetën.
I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet Hekuran Gjoni shpjegoi se atë ditë kur është ulur për të ngrënë bukë djali u ul po ashtu dhe nisi ta ngacmonte me fjalë.
Ai është ndjerë keq dhe në një moment është acaruar dhe e ka qëlluar me shpullë në fytyrë. Më pas sipas tij, djali Asim Gjoni, e kapi nga rrobat, dhe i ka thënë mos i gjuaj.
Në këtë moment, ka ndërhyrë vajza e cila i ka thënë pse sillesh me babanë kështu, dhe djali i ka dhënë asaj një të shtyrë të fortë, duke e rrëzuar përtokë. Në këtë moment ai është acaruar shumë, ka kapur thikën e bukës që ishte në tavolinë dhe e ka goditur djalin e tij një herë në bark (ije).
Nga hetimi rezultoi se në trupin e kufomës nga këqyrja e jashtme dhe e brendshme u konstatua një plagë prerëse shpuese depërtuese në anën e majtë të gjoksit, shoqëruar me çarje të mushkërisë së majtë, cipës mbështjellëse së zemrës në anën e majtë të majës së saj si dhe plagë prerëse në gishtat e të të dyja duarve.
Shkaku i vdekjes së shtetasit Asim Gjoni është shoku i rëndë traumtaik hemoragjik.
Nga sa më sipër, personi nën hetim Hekuran Gjoni, janë konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndaj djalit të tij Asim Gjoni.



