
Mecovo, një qytezë turistike në lindje të vargmalit të Pindit është ndër më të frekuentuarat në Greqi, si në dimër dhe në verë. Mecovo shtrihet në shpatin e një mali, në lartësinë 1156 metra mbi nivelin e detit, jo shumë larg burimit të Vjosës, një pellg gjigant ujëmbledhës plot ishuj të mbuluar me bredha dhe fjorde të vogla mahnitëse.
Zona e pasur me burime ujore, pyje dhe kullota, rreth 50 kilometra nga Janina, është një xhevahir i turizmit në Greqinë e Veriut.
Nëse viziton Mecovon, ka shumë gjasa që ushqimin në tryezë të ta sjellë një shqiptar. Qyteza me 2500 banorë ka një komunitet prej rreth 200 shqiptarësh, të vendosur aty kryesisht pas viteve ’90.
Shqiptarët e Mecovos janë të gjithë të punësuar në bizneset e zonës. Qyteza frekuentohet në të gjitha stinët dhe nevoja për staf shërbimi është e përhershme. Alfredi është nga Vlora dhe jeton në Mecovo bashkë me familjen prej
Dhurata është vendosur në Mecovo qëkur ishte 20 vjeçe, për të mos u larguar më.
Valentina është e vetmja shqiptare që ka një biznes të vetin, një fermë që furnizon me mish shumicën e restoranteve të Mecovos.
Mecovo frekuentohet nga turistë nga e gjithë bota. Afërsia me Janinën, rreth 50 kilometra, dhe autostrada Egnatia që i kalon shumë pranë, e kanë bërë atë një atraksion turistik lehtësisht të aksesueshëm.
Burimet e bollshme ujore, blegtoria dhe vreshtat i kanë siguruar Mecovos produkte unike që mbajnë emrin e saj. Djathi Mecovone është ndër më të njohurit në Greqi, ndërsa vera Averoff që prej vitit 1959 është kthyer në markën që përfaqëson Mecovon.
I mbështjellë shpesh nga mjegulla në stinën e ngrohtë dhe nga një batanije e bardhë dëbore në dimër, Mecovo i ngjan një pikture.
Fshati i populluar kryesisht nga vllehët është vendlindja e shumë bamirësve grekë, ndër të cilët edhe Evangelos Averoff, i cili dha Mecovos fytyrën moderne. Pasardhës i George Averoff, i cili u zhvendos në Kajro në vitin 1837 dhe u bë një nga tregtarët më të fuqishëm të Egjiptit, Evangelos është angazhuar pas Luftës së Dytë Botërore në politikën greke, ku ka shërbyer fillimisht si prefekt e më pas ka mbajtur disa poste ministrore, deri në vitin 1984, kur u zgjodh kryetar nderi i Partisë Demokracia e Re. Averoff i ka lënë Mecovos Muzeun e Artit Neohelen, ku gjenden vepra të piktorëve dhe skulptorëve kryesorë grekë të shekullit të 19-të dhe të 20-të.
Arkitektura tradicionale e qytezës – shtëpitë e ndërtuara me gurë, çatitë me rrasa dhe rrugët e shtruara me kalldrëm është ruajtur, duke u ndërthurur herë pas here me modernen. Druri dhe guri janë elementët që has në të gjitha shtëpitë, restorantet e hotelet. Shumë prej shqiptarëve që emigruan aty pas viteve ’90 kanë kontribuuar në ruajtjen e kësaj tradite.
Shqiptarët janë ndër kontribuuesit kryesorë në ndërtimin e urës së autostradës Egnatia, 150 metër mbi ujërat e lumit Metsovitikos, më e larta në Greqi.
Dora e shqiptarëve të Mecovos është kudo në tablonë turistike të Mecovos.
Në sheshin kryesor të qytezës, një prej skulpturave mban firmën e një artisti nga Vlora, Ilia Doko. Ai u kontaktua nga bashkia e qytezës për të përjetësuar në bronz ariun e murrmë, i cili popullon malet e Pindit dhe mendohet se i ka dhënë emrin edhe vetë qytezës piktoreske me popullsi aromune.



