
Është arrestuar nga policia e Kosovës, drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Ai akuzohet për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi’, thanë autoritetet.
Prokuroria Speciale tha se gjatë aksionit të zhvilluar të mërkurën është bastisur zyra e të dyshuarit në Prishtinë, dy banesa në kryeqytetin e Kosovës që ishin në pronësi të tij, me qëllim që të gjenden dëshmi “që kanë të bëjnë me veprat penale".
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës zbarkoi gjatë ditës së djeshme në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kryen bastisje. U bë e ditur se hetimet u kryen për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës nisi bastisjen në ambientet qendrore Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, ku më pas u mësua edhe për arrestimin e drejtorit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në të kaluarën ka pasur lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje. Krasniqi ka qenë drejtues i Komitetit për Energji në LVV, derisa në pozitën e kryeshefit të KEK-ut ishte zgjedhur në prill të vitit 2021. Komiteti për energji sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organ këshillues i partisë.



