Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha sot se reformat e ndërmarra nga qeveria kanë sjellë uljen e ndjeshme të borxhit publik. Ahmetaj tha se falë reformave të ndërmarra, në vend është rritur punësimi dhe është bërë e mundur rritja e pensioneve. Deklaratat e Ahmetajt u bënë gjatë një konference të përbashkët shtypi me përfaqësues të FMN-së në Shqipëri, në kuadër të mbylljes së bashkëpunimit 3-vjeçar.
“Konsolidim i qëndrueshëm fiskal. Politika e kujdesshme fiskale ka mundësuar një deficit të përgjithshëm në 2 %, më i ulëti në 25 vite. Reduktim i borxhit në 68.9 për qind në vitin 2017, nga 70.4 që ishte në vitin 2013. Borxhi ka hyrë në trajektoren rënëse.
Arritje është shlyerja në kohë rekord e detyrimeve të prapambetura e detyrimeve të trashëguara para vitit 2013. Modeli ynë ekonomik ka qenë reformat e thella në sektorët kyçë, që tashmë kanë sjellë rezultate të prekshme në terrenin ekonomik.
Deficiti i skemës së pensioneve është ulur në 1.84%. Reforma në energji ishte efektive. Humbjet në rrjet nga 45 % janë ulur në 28 %. Financimi nga buxheti i shtetit ka rënë nga 1 % e PBB në 0.1 %. Shqipëria është kthyer në eksportues neto në fushën e energjisë”, tha Ahmetaj.



