Ekspertja e integrimit Nirvana Deliu duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi hapjen e të gjithë kapitujve nga Shqipëria sa i takon procesit integrimit në BE, theksoi se kjo është një arritje, por mbetet vetëm gjysma e punës.
Deliu mendon se pika më e fortë e Shqipërisë është politika e jashtme, një kapitull ku jemi shumë të përafruar me BE-në, ndërsa pika të dobëta mund të jenë mjedisi, siguria ushqimore, apo zhvillimi bujqësor dhe rural.
Deliu shpjegon se në momentin që shteti ynë mendon që i ka arritur kriteret për një kapitull të caktuar, dorëzon raport pranë institucioneve të BE-së, të cilat mandej bëjnë monitorimin dhe vendimmarrjen.
“Është një arritje që arritëm të hapim të gjithë kapitujt në një periudhë 13-mujore. Tani do kërkohet që ne t’i mbyllim këto kapituj, dhe BE ka një metodologji të qartë, që janë kriteret e ndërmjetme. Që nga lufta në Ukrainë BE kërkoi një përshpejtim të procesit dhe një vëmendje të shtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Hapja e kapitujve është vetëm gjysma e punës. Kjo nënkupton që ke arritur standardet për t’i mbyllur ato, por që je në një nivel të kënaqshëm për të vazhduar punën më tej. Ne tashmë renditemi pas Malit të Zi, ndërkohë që Mali i Zi ka 10 vite që i ka hapur negociatat.
Marrëveshjet e nënshkruara synojnë rritjen e investimeve në Shqipëri për ato fusha dhe çështje që po monitorohemi. Së dyti nënkupton një rritje të bashkëpunimit Shqipëri-Itali. Të kesh një mbështetje si Italia që është një vend me peshë në BE, sigurisht që është pozitiv, në kuadër të lobimit politik në këtë proces. Fondet jepen nëse ke rezultate. Tani do të shikohet sa të gatshëm do jemi t’i përthithim, dhe sa do realizohen ato objektiva.
Sa i përket planit të rritjes morëm këstin e parë. Tashmë mbyllen grup-kapitujt invididualisht, jo sipas rendit që janë hapur. BE të ka vendosur për çdo kapitull kriteret përmbyllëse. Ne raportojmë në momentin që i cilësojmë kriteret e mbyllura. Raportin e çojmë pranë institucioneve të BE. Komisioni Europian bën monitorimit, por është Këshilli Europian, ministrat që vendosin nëse i kemi plotësuar apo jo.
Pika më e fortë është kapitulli që lidhet me politikën e jashtme, ku gjithmonë kemi qenë të përafruar me politikën e BE, edhe pse aty janë 2-3 elementë ku s’jemi 100 për qind me BE-në. Për pikën më të dobët unë mendoj që duhet të kemi fokusin te kapitulli i mjedisit, siguria ushqimore, bujqësia dhe zhvillimi rural”.



