Diplomati Jorgji Kote duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi vizitën e Ramës në Bruksel, tha se kryeministri shqiptar shkoi atje për tensionet në Veri të Kosovës, por u mundua ta mbulojë pozicionin e tij duke përmendur negociatat. Kote tha se Ramës i është tërhequr vëmendje, jo në publik, edhe për çështjen “Beleri”. “Ishte nga aspekti i integrimit europian, thjesht vizitë kortezie, ose më mirë të themi ‘rroftë sebepi’. Rama shkoi atje për çështjen e tensioneve në Veri të Kosovës, për idetë dhe projektet. Por për ta mbuluar me gjethe fiku, për ta lehtësuar pozicionin e tij, u përmend edhe çështja e negocitave tona me BE, që s’kanë ndonjë problem. Legjislacioni jonë po skanohet nga ekspertët e BE dhe ekspertët tanë. Nëse do jetë i përputhshëm, në janar të vitit të ardhshëm të fillojmë negociatat e vërteta. Pati vetëm fjalë të përgjithshme. Ramës i është tërhequr vëmendje, jo në publik, lidhur me çështjen Beleri, skandalin Gjici dhe afera të ndryshme, që i janë thënë në konfidencë. BE ka nevojë të reformohet për vete nga brenda. Në 2003 është ngritur ky problem, por vazhdon, sepse s’është kollaj. Kërkohen të ndryshohen traktate të BE, ku kërkohet dakordësia e 27 vendeve. Së dyti janë standardet shumë të ulëta në 6 vendet e rajonit tonë. Jo vetëm s’ka përparim, pavarësisht nga efuemizmat që thuhen në raportet e BE, por ka kthim mbrapa. Janë dy arsye madhore. Zgjerimi europian është më shumë një ‘wishful thinking’ një dëshirë e mirë”. Lidhur me çështjen “Beleri” Kote tha se bëhet fjalë për biseda konfidenciale. “Janë biseda tepër konfiedenciale, bëhen në intimitet, sepse është çështje delikate. Me siguri aty është ngritur shqetësimi nga pala greke, që ka rëndësi për procesin e negociatave. Kur të vendoset Çelja faktike e negociatave, do dalë greku do thotë çfarë kërkoni drejtësi në Shqipëri, kur kryetari i ardhshëm i bashkisë arrestohet dy ditë para”. Sa i takon konferencës së ardhshme për çështjen Kosovë-Serbi, ai shtoi: “Ka ide për një konferencë globale për zgjidhjen e këtij problem (Kosovë-Serbi). Por në Samitin e sotëm dhe nesër nuk pritet ndonjë e re, thjesht do përsëritet deklarata e BE, tre kërkesat e njohura. Do kërcasë më shumë kërbaçi për Kosovën dhe do pakësohet kulaçi për Serbinë”. I pyetur a prisni që Brukseli ka ndryshojë emisarin për dialogun, diplomati u përgjigj: “Lajçaku s’ka ndonjë shans ta ndryshojë BE, sepse i intereson. Lajçak dhe Escobar është në qendër të ideve të reja, projekteve të reja për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe pak kohë i ka mbetur Lajçakut, sepse do ketë zgjedhje të reja. Edhe konferenca s’do bëjë asgjë, sepse s’ka frymë mes Kosovës dhe Serbisë. Po s’pati frymë, bëj konferenca sa të duash”. Sipas Jorgji Kotes draft-statuti i Ramës për Asociacionin bëhet me porosi të BE, me qëllim që Rama të futet në lojë. Kote thekson se në këtë mënyrë BE siguron rrethimin e Kosovës dhe Kurtit nga Shqipëria. “Ka 15 apo 16 drafte. Ai draft duhet marrë si lëvizje taktike dhe diplomatike e Ramës, natyrisht me sugjerim nga ndërkombëtarët, nga BE, me qëllim që Rama të futej në lojë. Sepse nuk ka si të futej në lojë, me qëndrimet që ka mbajtur ndaj Kosovës dhe avokacinë e pashpjegueshme ndaj Vuçiçit. Nuk ka besueshmëri Rama dhe Shqipëria në këtë mes, por duhej kjo lojë, duhej t’i binte topit Rama me porosi të BE, që të futet në lojë dhe BE-ja të sigurojë rrethimin e Kosovës edhe të Kurtit edhe nga Shqipëria. Imagjinoni sikur Shqipëria të ishte krahas Kosovës, do ishte shumë më e vështirë për Beogradin dhe Europën. Duke pasur Shqipërinë krahas BE me amerikan i thotë PE-së, të gjithëve, Shqipëria është pëkrah qëndrimit tonë, Kosova Kurti ai është problem. Duhet të ketë një farë transparencë, ç’është ky draft. Kurti ka draftin e Kroacisë me Serbinë që është shumë relevant. Ai drafti i Ramës do jetë atje. Por dihet qëndrimi i Kurtit, boll që e ka propozuar Shqipëria, ai draft nuk vlen. Ishte lëvizje taktike për ta futur në lojë Ramën dhe të bëhej ky rrethimi i Kurtit”, tha ai.



