
Bashkimi Evropian pritet të shpallë një marrëveshje që do të bëjë që SHBA-ja ta furnizojë atë me më shumë gaz natyror të lëngshëm për të zëvendësuar importet ruse.
SHBA-ja është vendosur të sigurojë të paktën 15 miliardë metër kub gaz të lëngshëm deri në fund të vitit, njoftoi agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet evropiane po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga karburantet ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
BE-ja është zotuar të shkurtojë përdorimin e saj të gazit rus me 2/3 këtë vit nëpërmjet importeve nga vendet e tjera dhe zgjerimit të energjisë së rinovueshme.
Duke folur të enjten mbrëma, kryeministri belg Alexander de Croo përshëndeti masën duke thënë se do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Evropë.



