
Gazetari Mentor Kikia në studion e MCN Live duke komentuar për debatet dhe fyerjet e ndodhura në seancën plenare deklaroi se kjo është një dëshmi që tregon se nuk ka ndryshuar ndërtimi i institucioneve në vend.
Ai tha se nuk kemi të bëjmë me sistem drejtësie të pavarur dhe se sipas tij, shpesh ky është një teatër politik, një shesh mejdan që nxjerr dhe hell mllefin që ata kanë ndaj njeri- tjetrit, por që nuk flitet për çështjen që janë mbledhur.
Përtej asaj që ndodh pas perdes dhe që dëshmon mjerimin politik dhe hipokrizinë masive të klasës politike, pjesa tjetër e asaj që ndodhi ishte dëshmi e faktit se ka ndryshuar pak ose aspak e ndërtimi i institucionit në Shqipëri. Ne s’kemi pasur drejtësi të paanshme dhe përgjigja gjendet në atë parlament, shtyllat e një shtetit janë zgjedhur përmes një pazari, mall me mall. Më jep të jap dhe përmes këtij pazari anëtarët e gjykatës së lartë dhe kushtetueses ishin të identifikueshëm, ky me PS, ky me PD, pra diheshin dhe votimet në këtë mënyrë dhe për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve në këto dy strukturave të rëndësishëm në drejtësi duhet të ndryshohej mentaliteti në atë sallë, parlament. Që këtu kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një sistem drejtësie të pavarur.
Më tej ai theksoi se në atë sallë kishte një pazar te zgjedhja e avokatit të popullit dhe kreun e gjykatës kushtetuese, teksa shtoi se kur shkëmbehen institucionet mes opozitës dhe maxhorancës, këtu gjithçka ka mbaruar.
Është e mjerueshme të shohësh jo nivelin e diskutimeve, por formën e të bërit politikë në shtëpinë e ligjvënies, sepse nëse ti vendos që ta transmetosh publikisht këtë seancë atëherë pse duhet ta shohim për të kuptuar se kush është ai njeri që do zgjidhet në krye të gjykatës kushtetuese, apo avokati i popullit dhe ajo që pamë ishte sherre dhe fyerje dhe këtu mendoj se shpesh ky është një teatër politik, një shesh mejdan që nxjerr dhe hell mllefin që kanë ndaj njeri tjetrit, por nuk flitet për çështjen që janë mbledhur dhe përfundojnë pastaj te ngritja e kartonit që veprojnë sipas mesazhit që u ka ardhur në tel.



