
Në një komunikim për mediat, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka reaguar me tone të ashpra për situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit, ku kontrollorët bojkotuan punën sot, duke pezulluar fluturimet.
Sipas Ballukut, kjo situatë është krijuar për shkak sepse ata kërkojnë mbi 4 mijë dollarë pagë në këto kohë pandemie.
“Për shkak të kësaj emergjence të krijuar në Aeroportin e Rinasit, në portën e vetme që e lidh me vendet e tjera. Kemi situatë të jashtëzakonshme. Kontrollorët kanë vendosur që të bëjnë një grevë tërësisht të paligjshme. Në kodin e Punës është e përcaktuar qartë që; ndalohet greva për sektorët sensitiv, duke e nënvizuar dhe trafikun ajror. Ka nisur që dje kjo tratativë e jashtëzakonshme e kontrollorëve të trafikut ajror, por jo nga e gjithë. Për të kërkuar para në kohë pandemie. Nga 4 mijë e sa dollarë, sepse disa të tjerë e kanë më të ulët, nëse nuk iu afrohen kaq para; atëherë ata marrin peng Republikën e Shqipërisë sikur ta kenë tokën e babait të vetë.”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u bëri thirrje kontrollorëve të trafikut ajror, që sipas janë pjesë e politikës, të largohen nga ndërtesa.
Balluku, nga ana tjetër, ftoi të gjithë ata kontrollorë që janë të pastër politikisht, të kthehen në detyrë dhe të vazhdojnë normalisht punën.
Nëse ata nuk zgjedhin t’i kthehen punës, ministrja paralajmëroi se ushtria do të marrë situatën nën kontroll.
“Ndërtesa s’mund të qëndrojë në duart e atyre që s’krijojnë siguri. Jeni të lutur të gjithë ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës që të vazhdojnë punën dhe të rikthehen në detyrë, ashtu siç e keni bërë vazhdimisht. Të gjithë të tjerët që nuk duan të operojnë dhe nuk operojnë, por qëndrojnë në karrigë, ju them se keni braktisur detyrën në sytë e të gjithë shqiptarëve. E kthyet institucionin më të rëndësishëm në një dyqan lagjeje që e mbyll qepenin kur të dojë. As nuk vutë tabelë që “kthehem shpejt”. Policia e Shtetit do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga kontrollorët që sot nuk janë më kontrollorë”.
Më herët, kryeministri Edi Rama akuzoi Sali Berishën dhe Ilir Metën se kanë nxitur situatën e krijuar në Rinas për bllokimin e fluturimeve, pas pezullimit të punës.



