Në arrati prej më shumë se një viti, Policia e Kosovës ka prangosur këngëtaren, Fjolla Morina. Kjo e fundit u arrestua mëngjesin e së hënës, teksa ishte pikasur nga uniformat blu në lokalin e saj në lagjen “Emshir”, në Prishtinë.
Fjolla Morina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, pasi ndaj saj rëndon akuza e “trafikimit të armëve dhe municionit” në Shqipëri.
Vitin e kaluar, këngëtarja kosovare u arrestua në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, pasi në automjetin që drejtohej nga vetë ajo, ju gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta, ndërsa shoqërohej nga dy shtetas të tjerë.
Morina ishte mbajtur në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të këtij viti, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar. Morina u dënua më 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, dhe si pasojë e gjykimit të shkurtuar iu ul dënimi në 6 vjet.



