
Pas përfundimit të takimit me krerët e degëve të PD-së, Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se kryeministri po bëhet gati që të çojë para drejtësisë kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.
Sipas Bashës arrestimi i Dakos duhej të kishte ndodhur tashmë prej kohësh, por sërish prangosja e kryebashkiakut që sipas opozitës ka blerë vota, nuk do të mund ta shpëtojë dot Ramës nga fundi i tij politik.
"Asnjë përpjekje fasadë nuk do ta shpëtojë dot nga përgjegjësia politike dhe ligjore që ka. Ai është kapur duke vjedhur zgjedhjet me bandat e krimit të organizuara. Orët e fundit janë intesifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Arrestimi i Dakos duhet të kishte ndodhur që kur dosja 339 faktoi që ai dhe të tjerë socialistë janë kapur në përgjime zyrtare të prokurorisë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Mos arrestimi është bërë me urdhër të Ramës. Për të mos arrestuar Vangjush Dakon, Edi Rama madje flijoi një nga beniaminët e tij, Fatmir Xhafën. Ndaj arrestimi i Vangjush Dakos duhet të ndodhë një orë e më parë, por nuk e shpëton urdhëruesin e krimit të gjithë krimeve, bashkëpunimit të hapur të sektit kriminal të rilindjes me organizatat e narko-trafikut", deklaroi Basha.
Basha u shpreh i vendosur se Rama do të largohet dhe kishte një ftesë për ndërkombëtarët.
"Ftoj faktorin ndërkombëtar që të mos gënjejë veten, se shqiptarët nuk i gënjen dot më. Nuk është punë kokë Gjushësh apo kokë Sejdinësh. Edi Rama duhet dhe do të largohet. Me Ramën në krye të vendit Shqipëria nuk do të bëjë asnjë hap përpara dhe opozita do të vazhdojë e vendosur betejën e saj deri në largimin e kapobandës dhe çlirimin e Shqipërisë, demokracisë dhe PS", deklaroi Kreu i PD-së.



