Ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha ka ndërhyrë në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në orët e para të mëngjesit.
“Shqipëria dënon agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Rusia po sulmon brutalisht fqinjin e saj të cilit dëshiron që t’i mohojë ekzistencën, lirinë, tokën dhe dinjitetin. Shqipëria i bën thirrje OKB-së që të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, deklaroi Hoxha.
Më herët me anë të një mesazhi në Twitter, reagoi edhe Kryeministri Edi Rama.
“Ne bashkohemi me NATO dhe aleatët tanë në Bashkimin Europian, në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas”, shkruan kreu i qeverisë.
Gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, Rusia nis pushtimin e Ukrainës, duke sulmuar qytetet kryesore të vendit.
Sulmet ushtarake të koordinuara po ndodhin në disa qytete strategjike si Kharvik, Odesa por edhe në kryeqytetin Kiev.



