Deputetja e PD Ina Zhupa në një intervistë për MCN TV tha që vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nuk ishte një sherr spontan, por një ngjarje e paralajmëruar.
Zhupa tha që në dijeni të konfliktit ishin oficerët e sigurisë, mësuesit, dhe strukturat e shkollës që nuk reaguan.
"Kuvendi duhet të mbante 1 minutë heshtje dhe të vinte para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë mundësi të ndryshojnë situatën në arsim. Në komisionin e edukimit i kam kërkuar ministres shpjegime lidhur me oficerët e sigurisë dhe psikologët në shkolla.
54 për qind e shkollave në Shqipëri s’kanë oficerë sigurie, sipas të dhënave të MAS është një psikolog për 500 e ca nxënës! Konflikti që ndodhi në shkollën ‘Fan Noli, e rankuar si një nga më të mirat, është një ngjarje e paralajmëruar, që kishte filluar që të premten, ishin në dijeni oficerët e sigurisë, mësuesit, strukturat drejtuese të shkollës, dhe nuk reaguan. E lanë një 14-vjeçar të humbte në dyert e shkollës. Patjetër që këtu ka përgjegjësi. Në çantat e nxënësve në shkolla, shkohet me thika të mëdha gjuetie, shkohet me drogë, biçakë, kjo është paketa e sigurisë në shkolla! Duhet të futet në shkolla, të paktën 1 herë në javë të diskutohet për dhunën, bullizmin, dhunën psikologjike. Parametri i dytë ka të bëjë me psikologun. Kur ka një konflikt psikologu është aty për ta adresuar konfliktin. Ka të bëjë me oficerët e sigurisë që duhet të jenë aty. Nuk ishte një sherr spontan, por i mavijosur, i ardhur nga e premtja. Përgjegjësia kryesore është e institucionit ku ndodh, në bashkëpunim me prindërit".



