Braktisja e 3 fëmijëve nga nëna në Durrës, lajm që tronditi opininin publik së fundmi, u diskutua sot në studion e “Mcn Informacion”. Psikologia Nereida Llaha dhe pedagogia e Komunikimit Entela Hidri theksuan se nuk mund të kryqëzojmë nënën e tre fëmijëve, e cila është e dypunësuar dhe rrit e vetme tre fëmijë. Mësuesja Etleva Merko vuri në dukje se faji i është i gjithë shoqërisë, dhe mungon shteti social.
Psikologia Nereida Llaha:
"Janë pamje të rënda. Nëse do bënim një analizë, një mungesë higjene, shtëpi e shkatërruar. Por jam e rezervuar në dhënien e mendimit, pasi kam dëshirën time të brendshme që dua të jetë e stisur, e bërë enkas. Nëse e marrim të mirëqenë që situatë është e faktuar, flet për kushte psikologjike të rënduara, qoftë për neglizhencën, që është një formë abuzimi. Kemi një nënë, një baba, një gjyshe, tre fëmijë, 6 të mjerë. Askush s’mund të bëhet kaq cinik dhe të gjynjëzojë një nënë. Në komente është lemeri, një neurozë kolektive e frikshme. Duhet të ketë një ndjeshmëri, qoftë nga mediat, qoftë te organet e tjera".
Mësuesja Etleva Merko:
"Kemi ligje, nene, por s’kemi shtet social, që t’u vijë në ndihmë grave të divorcuara që rrisin fëmijët të vetme. Dëgjova që fëmijët kishin më shumë se një muaj që s’shkonin në shkollë! S’dua të ngarkoj asnjë me faj, faji është i gjithë shoqërisë. Të dyja palët, sepse janë femra, duhet të binin në një kompromis për fëmijët. Gjithmonë faji i hidhet femrës!"
Pedagogia e Komunikimit Entela Hidri:
"Nuk mund të kryqëzoj një nënë që po rrit fëmijët e vetme tre fëmijë, me dy punësim. Nëse do ishte gjyshja që i ka bërë këto video, ajo s’është më gjyshe, pasi ka detyrë të bashkëprindëroj. Gjyshja ka detyrim, që nëse nëna s’kujdeset, të shkojë dhe t’i mbajë. Këto kushte janë skandaloze, por minimalisht ata fëmijë marrin dashuri në darkë. Pse kjo gjyshe është personazh anonim dhe s’e kanë bërë publik si nënën?!"



