Harku i famshëm detar Hōlei në Havai, një formacion shkëmbor prej lave rreth 27 metra i lartë dhe i krijuar afro 550 vjet më parë, është shembur në Oqeanin Paqësor.
Momenti i saktë i shembjes nuk dihet. Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare të SHBA-së (NPS), harku ishte ende i dukshëm nga bregu i Parkut Kombëtar të Vullkaneve të Havait më 23 shtator, ndërsa më 27 shtator kishte zhdukur plotësisht.
“Vija bregdetare përreth harkut detar kishte shfaqur shenja paqëndrueshmërie prej vitesh”, bëri të ditur NPS. Autoritetet e parkut kishin paralajmëruar që në vitin 2021 se formacioni do të shembej përfundimisht.
I ndodhur në fund të rrugës Chain of Craters, në ishullin e Havait, i njohur edhe si “Big Island”, harku ishte një nga atraksionet turistike më të njohura dhe më të fotografuara të zonës.
Besohet se formacioni është shembur gjatë kohës kur parku ishte mbyllur përkohësisht për shkak të stuhisë tropikale Nolo, fundjavën e kaluar.
Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare, tërmetet që shoqëruan shpërthimin e vullkanit Kīlauea dhe shembjen e majës së tij në vitin 2018 kishin dëmtuar shkëmbinjtë pranë harkut, duke dobësuar gradualisht strukturën.
Shembja e tij shënon ndryshimin më të fundit të vijës së largët dhe të thyer bregdetare të parkut, e cila transformohet vazhdimisht nga proceset natyrore.
Në janar të vitit 2020, çarjet e reja dhe paqëndrueshmëria e shkëmbinjve detyruan autoritetet të mbyllnin pikën fillestare nga ku vizitorët shihnin harkun. Disa muaj më vonë u hap një pikë e re vrojtimi, në një distancë më të sigurt.
Po atë vit, dallgët e shkaktuara nga një stuhi tropikale shkëputën një pjesë shkëmbore nga baza e harkut, duke dhënë një tjetër sinjal për dobësimin e tij.
Lajmi për shembjen ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale. Mijëra persona kanë reaguar ndaj postimit të NPS-së, ndërsa shumë prej tyre kanë ndarë fotografi dhe kujtime nga vizitat e tyre në këtë monument natyror.



