Rreziku për investimin e parave të drogës në politikë është real. Shqetësimi është ngritur nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, në një intervistë për “Orën”.
“Qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”, tha Borchard, sipas të cilit në këto kushte, ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë e sheh me shqetësim bojkotin e Parlamentit, i cili do të ngadalësojë reformat dhe sidomos atë në sistemin gjyqësor.
Ndërsa në lidhje me protestën e PD-së, ai shprehet se është normale dhe legjitime.
“Unë nuk shoh ndonjë radikalizim. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një proçes paqësor. Nuk shoh radikalizim. Sigurisht që ndaj pikëpamjen e BE-së që dialogu duhet të vazhdojë në parlament por që një parti apo disa parti të forcojnë pikëpamjet që i shprehin në parlament duke dalë në rrugë dhe duke i kërkuar mbështetësve të tyre të dalin në protestë është normale dhe legjitime”, thotë Borchard.



