Antilajmi

Antilajmi

Nga Ina Gjonçaj

Durrës, për muajin shtator, hiqen 273 leje drejtimi, arrestohen 16 persona.

Sa më pëlqejnë këta titujt vjeshtakë. Kanë një shije krejt tjetër. E di që duket si lajm i ardhur nga shtatori që tashmë ka kaluar, por statistikat e shtatorit, tani dalin, ndaj...quajeni një lajm që i përket aktualitetit.

Po thosha që vjeshta ka një shije krejt tjetër: pas pushimeve, Policia e Shtetit ose më saktë policia që duam, e që shpesh pyesim veten a na do me po të njëjtën fuqi, lëshohet rrugëve, për të fituar kohën e humbur. Dhe ku pale: në Durrës, në Durrësin tim të dashur, qytetin ku kam lindur, qytetin që vështirë se bën gëk apo mëk, edhe në raste të skajshme si për shembull kur i betonizojnë detin. Pikërisht në Durrës pra, aty ku kalaja shkrihet aq bukur me depozitat e hoteleve, ndërtuar brenda saj, aty ku shprehja më 'rebele' është “Jam durrsak mër plak (!)”, hiqen 273 leje drejtimi, që janë baras me 273 gjoba, 273 paraqitje para komisionit, e kështu me radhë. Po vetë e kanë fajin, se duan të bëjnë turizëm edhe në shtator, e normalisht shteti aty do mobilizohet: ku ka njerëz, ku ka zhurmë, ku ka shkelje të mundshme, ku ka gjoba të mundshme, ku ka...! Nejse, rëndësi ka që arka e shtetit do mbushur, e nëse për këtë do duhet të lëmë gjithë durrsakët pa patentë toke, do ta bëjmë! Mund t’u japin patentë detare, po ka vetëm një problem: brenda pak vitesh mendohet që nuk do ketë më as det.

Arrestohen të fortët e Mamurrasit

Ja një titull i shkurtër, i saktë, lakonik. Kaq! Arrestohen të fortët e Mamurrasit. Thuhet se sundonin mbi ligjin, të fortët e Mamurrasit! E kështu...

Sigurisht ne kemi bindjen që për çdo 10 të fortë të Mamurrasit (forcën e të cilëve nuk duam kurrsesi ta vëmë më në diskutim) që futen brenda,  20 të fortë të tjerë, dalin jashtë. Thënë kjo, ishte pikërisht njëri nga emisionet investigative në vend, që e denoncoi këtë shtet brenda shtetit, këtë San Marino brenda Mamurrasit: tingëllon gati poetike. E sigurisht policia, ndali pak hovin e 'shpatentizimit' të durrsakëve, dhe kreu detyrën dhe në Mamurras.

Do thoni ju: po nuk paske diçka të jashtëzakonshme për këtë lajm, pse e ndan me ne? Nuk e di! Mu duk shume 'western' sekuenca e një Mamurrasi anti ligjor,(që nuk operonte aspak në fshehtësi por hapur dhe me çiltërsi') , brenda Mamurrasit ligjor. Dy Mamurras, të ndarë nga një fije e hollë. Shumë e hollë. Gati e padukshme!

Nipi i Pablo Escobar ka gjetur 18 milionë dollarë të xhaxhait, brenda murit të shtëpisë së tij.

Eh ç'titull! Nikolas Escobar! 18 milionë dollarë. Nuk më bën aq përshtypje kjo, se sa fakti që deklaroi që i gjeti këto para', falë një 'vizioni', falë një 'mirazhi'.Si për shembull, të dëgjosh zëra që 'Hap tavanin e shtëpisë se do gjesh (18 janë shumë, unë kënaqem edhe me më pak) 5 milionë dollarë, dhe në vend që të tjerët të qeshin me ty, ti t'i gjesh!Të shohësh një ëndërr të ngjashme, e t'i gjesh po ashtu, sa hap sytë në mëngjes. Këto ndodhin në fakt, ose në  përrallat me babanë, djemtë dhe qypin me florinj-madje dhe në këtë rast, nuk ka qyp fare: është marifeti i babait që çunat të punojnë tokën e të kuptojnë që vetëm puna me djersë e nder sjell paranë- (pffff 'loosers') ose me nipin e Escobarit, ose me politikanët në përgjithësi. Eh, sa bukur! Ju n.q.s. dëgjoni zëra të ngjashëm, e para mos bëni gafë të hapni tavanin se bën shtrenjtë ta ribësh, e dyta më mirë, fliteni me psikologun më të afërt.

 

Dating-show dhe televizion

Ishte lajmi i ditëve dhe i javës: në një dating-show nga ata më të ndjekurit, “muhabeti nxori muhabetin” dhe njëra nga konkurrentet, ajo që praktikisht mund të quhej “ylli që sillte klikime”, shpërtheu në monologë të gjatë me kryefjalë homofobinë. Në fakt, është shumë bukur që në vendin tonë, ku jemi aq të sjellshëm, aq të këndshëm, ku dhunën si koncept nuk e njohim, ku dhe zërin e ngremë vetëm kur na e sjellin në majë të majës së hundës (pra sa na thonë mirëmëngjes) të shohim dhunë edhe në televizion. E di, e di: dhunë ka në Parlament, dhunë ka në emisione gatimi, pse mos ketë dhe në emisione dashurie...Revolta qe mbarë popullore, plebishitare, unanime: nisi nga unë në rrjetet e mia sociale. Ndërkohë që në Napoli për shkak të varfërisë post-pandemi, njerëzit kishin dalë në rrugë kundër një mbyllje të mundshme, me sloganin “Liri” edhe unë vetë, po merresha me këtë lajm që vinte nga zemra e Ballkanit. Ndërkohë, vajzës në fjalë, pas përjashtimit se nuk pranoi të kërkonte ndjesë publike, nga 130k, ndjekësit iu rritën në 140k.

 

Lock-down!

...e për të vazhduar, -se ndonjëherë lajmet janë shkak-pasojë, në “korridoret e Shqipërisë” - sapo u zgjuam nga zjarrmia e show biz, u kujtuam që mbase mund të mbyllemi sërish, që ekonomia sërish mund të tkurret, që paskemi shumë beteja para, e që fitorja e luftës, duket lart. Deri atëherë, ne do vazhdojmë të postojmë në Instagram, e të spiunojmë të tjerët: e vetmja gjë qe nuk na kushton...asgjë!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy