
Gazetari Basir Çollaku, për ofertën e Enkelejd Alibeaj për bashkim dhe caktimin e një grupi negociator për diskutuar me palën e Sali Berishës, tha se deputetët ndihen të detyruar të shkojnë drejt kësaj sjellje kur jemi pak ditë para datës elektorale.
Duke folur për MCN Live, Çollaku tha se synimi është për të shkuar në zgjedhje, të fitohet dhe të mposhtet pala kundërshtare dhe se përgjegjësia është e të gjithë deputetëve.
Sipas tij, deputetët janë aty ku janë për të gjetur zgjidhje dhe jo për të prodhuar kriza.
Ajo çfarë presin demokratët është të jenë fitues, edhe propozimet e djeshme janë kthyer në pikën fillestare ku ishte zoti Bardhi dhe Paloka, me pak ndryshime është e njëjta ofertë.
Kur dhe më parë ka pasur qasje të kësaj natyre, bashkimi duhet të ndodhte më parë. Nuk duhej lejuar çështja që të shkonte në gjyq. Nuk prodhojnë gjykatat parti, por thellojnë ndarjen.
Energji më e madhe është harxhuar brenda PD se sa përtej saj me kundërshtarin, i cili është investuar.
Këtë çmoj se duhet ta kishin parë më me maturi dhe qetësi. Të gjithë janë demokratë, asnjëra palë se akuzon tjetrin se është ndryshe. Kemi një parti pa vulë, kemi një vulë pa parti.
52 deputetë ka PD, dhe janë tre grupe parlamentare në PD, ka disa grupe, disa kryetarë dhe disa demokratë. Për të shkuar në zgjedhje duhet një.
Duhet një mekanizëm i shpejtë, koha në dispozicion nuk ofron luks që të bësh naze.
Çollaku u ndal te fakti se DEA ka hapur një zyrë në Shqipëri pasi nuk i beson qeverisë dhe policisë, duke shtuar se kjo ka ndodhur në Kolumbi dhe Panama, në vendet e shumicës së kokainës.
Është tregues, mungesë e besimit të theksuar se institucionet që drejton ti, nuk janë të besueshme. Rezultatet nuk e kanë ofruar besueshmërinë.
Kur Rama është në këto kuota për të mos harruar çështjen “McGonigal” që nuk i shqitet Ramës pa u përballur me të, edhe drejtuesit e grupeve të PD duhet të përfitojnë nga kriza që ka Rama dhe jo Rama nga kriza e tyre.
Unë shoh një PD me demokratë, mijëra më shumë se emrat. Dëshira për të qenë bashkë është e të gjithëve, ka më shumë gjëra që bashkojnë se sa ndajnë.
Berishianët janë shumicë. Për shqiptarët opozita është si largohet Edi Rama, nëse rezultati është humbje gjithë gjërat e tjera janë nul.



