
Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny u ka bërë thirrje rusëve që të organizojnë protesta të përditshme kundër agresionit ushtarak të Moskës në Ukrainë, shkroi zëdhënësja e tij në Twitter.
“Alexei Navalny ka bërë thirrje që njerëzit të dalin dhe të protestojnë kundër luftës çdo ditë në orën 19:00 dhe në fundjavë në orën 14:00. Dilni në sheshet kryesore të qyteteve tuaja, kudo që të jeni”, shkroi Kira Yarmysh.
Lëvizja e Navalny-t më parë bëri një fushatë për mosbindje civile për të protestuar kundër pushtimit rus të fqinjit.
Opozitari Navalny, kundërshtari më i njohur i Presidentit Vladimir Putin, u burgos vitin e kaluar pasi u kthye në Rusi nga Gjermania.
Ai u kthye pas shërimit të tij nga ajo që testet laboratorike perëndimore konstatuan se ishte një përpjekje për ta helmuar me një agjent nervor në Siberi. Mirëpo Rusia mohoi kryerjen e një sulmi të tillë.



