Marrëdhëniet e ngushta të krijuara ndër vite mes Izraelit dhe Rusisë dhe zgjedhjet e qeverisë izraelite duket se kanë ndihmuar pjesërisht Moskën në agresionin ndaj Ukrainës, duke dobësuar Kievin.
Një gjë e tillë denoncohet nga një investigim i përbashkët gazetaresk nga The Guardian dhe Washington Post, sipas të cilit Izraeli në mënyrë të përsëritur ka refuzuar që t’i shesë Kievit sistemet e tij të hakerimit të teknologjisë së lartë, pikërisht për të mos “mërzitur” Rusinë.
Bëhet fjalë për spyware Pegasus, një mjet i teknologjisë së lartë i aftë për të hakuar çdo telefon celular si dhe për të përgjuar bisedat telefonike, por edhe për të lexuar mesazhet ose për të parë fotografitë e një përdoruesi.
Në një situatë konflikti, Pegasus mund të rezultojë të jetë një mjet thelbësor për të kontrolluar komunikimet e armikut dhe për këtë arsye mund të ketë avantazhe strategjike themelore.
Sipas investigimit gazetaresk, i cili i referohet dëshmive të njerëzve me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje, Kievi për rreth tre vjet kishte tentuar në çdo mënyrë që të merrte teknologjinë izraelite, por qeveria e Tel Avivit e kishte refuzuar shitjen.
Grupi NSO që prodhon spyëare-in, i cili menaxhohet nga ministria izraelite e Mbrojtjes, nuk u autorizua që të tregtonte apo shiste mjetin në fjalë Ukrainë. Arsyet pas refuzimit nuk u zyrtarizuan kurrë nga Izraeli, por dyshimi konkret është se vendimi i Izraelit diktohet nga dëshira për të mos mërzitur Rusinë, e cila e ka parë gjithmonë shitjen e një teknologjie të tillë te rivali i saj si një sulm të drejtpërdrejtë.
Në fund të fundit, Moska dhe inteligjenca izraelite kanë bashkëpunuar prej kohësh dhe në të kaluarën, pas shitjes së Pegasus në Estoni, Tel Avivi kishte paralajmëruar zyrtarët estonezë se nuk do të lejonte përdorimin e spyware kundër palës ruse.
Tel Avivi nuk e ka komentuar kurrë për këtë çështje, përveç një shënimi sipas të cilit “shteti i Izraelit miraton eksportin e produkteve të IT-së ekskluzivisht për subjektet qeveritare, për përdorim legjitim dhe vetëm për qëllimin e parandalimit dhe hetimit të krimit dhe luftës kundër terrorizmit”.
Për më tepër, Izraeli para dhe pas fillimit të luftës në Ukrainë e vendosi veten në një pozitë neutraliteti midis dy vendeve dhe refuzoi t’i shiste Kievit sistemin e mbrojtjes raketore Iron Dome. Një qëndrim i tillë e shtyu Presidentin ukrainas, Vlodomyr Zelensky që të sfidonte hapur qeverinë izraelite gjatë fjalimit të tij për parlamentin izraelit, duke pyetur se pse nuk donte t’i jepte armë Ukrainës dhe të vendoste sanksione ndaj rusëve.



