
Kantautori i njohur Bojken Lako është dënuar me 3 vite burg nga gjykata e Tiranës për ndërtim të paligjshëm. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, këngëtari dënohet me 3 vite shërbim prove.
Lako është dënuar nga gjykata për shkak të punimeve në një godinë të marrë me qira, e cila ishte kthyer në studio muzikore.
Gjykata bën me dije se:
Në rastin konkret rezulton se shtetasi Boiken Lako ka kryer punime që kategorizohen si punime që kërkohet pajisja me leje ndërtimi sipas nenit 11 të VKM-së 408 ‘Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit’. Punimet e kryera nga shtetasi Boiken Lako konsistojnë në krijimin e një strukture të re, duke ndërtuar mure, hapur dritare, kasat e dyerve dhe instalimet elektrike. Shtetasi Boiken Lako nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por thjesht është mbështetur tek një kërkesë e Njësisë Administrative Nr.7. Siç rezulton nga deklarimet e shtetasit Boiken Lako, proces-verbali për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe tabela fotografike, punimet e kryera nuk janë punime të brendshme, por është ngritur një ndërtim i ri tërësisht e ndryshme nga ajo e mëparshme”.



