
Analisti dhe gazetari Mustafa Nano nuk është optimist për lindjen e një force të re politike në Shqipëri. Në lidhje me zërat për nisma brenda opozitës parlamentare që mund të çojnë në krijimin e forcave të reja politike, Nano tha se përsa kohë që modeli i ngritjes së një force të re mbetet ai i partive të vjetra, kjo është e pamundur.
“Nuk kanë për të pasur asnjë sukses. Të gjitha forcat politike që ngrihen, ngrihen me të njëjtën logjikë. Kanë një lider rteth të cilit grumbullohen dhe duan të funksionojnë si të vjetrat. Duhet një forcë politike me frymëzim të ri, me ide të reja, që do ta bëjnë të pangashme me ndonjërën prej forcave të establishmentit”, tha Nano.
Lidhur me mundësinë e një qeverie teknike, Nano thotë se në ndryshim nga viti 2017, tani kushtet janë më të favorshme.
“Atëherë ishte një eksperiment, u provua në rrethana emergjence. U zgjodh një qeveri teknike në harkun e pak orëve. Tani kanë kohë të bëjnë përcaktime të qarta mbi rolin dhe funksionet që do të luajnë”, tha ai.
Nano ripërsëriti se një aleancë e mundshme Meta-Rama do të ishte e dëmshme për vendin.
“Kjo do të jetë një nga pasojat e kësaj marrëveshjeje. Ndoshta ky është një nga qëllimet. Unë kam konsideruar faktin që një marrëveshje tjetër për herë të disatë mes PS dhe LSI nuk i duhet askujt. Lidhja e tyre është konsumuar njëherë e mirë. Nuk e di nëse ka kuptim as një aleancë PD-LSI”, tha Nano.



