
Ka qenë letra e një adoleshenteje afgane që e ka nxitur yllin e kinemasë amerikane, Angelina Jolie t’i bashkohet instagramit dhe të nisë aty fushatën e sensibilizimit për grupet e rrezikuara pas ardhjes në pushtet të talebanëve.
Aktorja 46-vjeçare ka shpërndarë për ndjekësit në llogarinë e saj pjesë nga letra e vajzës afgane, duke u shprehur se tani ajo do të bëhet zëri i atyre që po luftojnë për të drejtat e njeriut.
Unë kam qenë në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takova refugjatët afganë që kishin ikur nga talebanët. Kjo ka ndodhur njëzet vjet më parë. Është e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre. Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të ardhur përsëri tek e njëjta histori, është një dështim pothuajse i pamundur për t’u kuptuar.
Aktorja dhe regjisorja, fituese e çmimit Oskar, është angazhuar edhe në të kaluarën në ndihmë të refugjatëve të luftës. Ajo është përfaqësuese speciale pranë Komisionit për refugjatët në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, mijëra njerëz afganë janë përpjekur të largohen nga vendi, duke shkaktuar trazira në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul, ndërsa SHBA po përpiqet të zhvendosë qytetarët amerikanë dhe afganët që u kërcënohet jeta nga talebanët.



