
Dëgjesa e dytë mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitektëve, në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar i ngjante një shfaqjeje teatrale për teatrin. Veliaj tha se me artistët janë ulur tonet e bisedimeve, ndërsa të ftuarit e radhës aprovuan njëzëri tezën për prishjen e godinës.
Dëgjesa e dytë mes kryetarit të bashkisë Erion Veliaj dhe arkitektëve në lidhje me çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri në fakt është një dakordësi e plotë mes të dy palëve. Gjatë fjalës së tij përpara arkitektëve dhe urbanistëve, kryebashkiaku tha se me dëgjesën e parë me artistët është arritur që të ulen tonet. Ndërkohë, të gjithë arkitektët dhe inxhinierët të pranishëm në dëgjesë ishin pro prishjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së një ndërtese të re.
"Objekti nëse do bëhet rikostruksion qoftë dhe nderhyrja që do bëhet që diskutuan inxhinieret për pjesën metrike dhe mekanike, ato nderhyrje e dobësojne si objekt , gjithe carjet që do behen nëpër mure dhe gjithë adaptimet që do bëhen nuk e forcojnë për asnjë moment, vetem e dobësojnë . Plus që mos flasim pastaj për parametrat dhe normat teknike që nuk i arrijme dot kurrë. Objekti i ri ofron dhe ambiente të reja, do jetë më polifunksional , do jetë me atraktiv për të gjitha grupet që kanë dëshirë dhe nevojë të përdorin këto ambiente”, arkitekti Altin Prendi
“Dhe këtu kam me vete dhe dy inxhinierët kryesorë me të cilët u mblodhëm , diskutuam dhe sigurisht u mbështetëm kryesisht tek relacioni që ka bërë instititi i ndërtimit , që është mjaft i detajuar , e vlerësojme shumë dhe e mbështesim plotesisht. Ne u fokusuam tek problemet që kemi më shumë ekspertizë, profesionalizëm , në arkitekturë, anën konstruktive, në materiale ndërtimi, themele dhe në gjithë këta komponente ne mbështesim plotësisht konkluzionin e raportit që kjo godinë eshte tejet e amortizuar dhe nuk mund të jetë pjesë e planit te ri të kompleksit që trajton dhe teatrin kombëtar”,Agim Selenica, rektori i Universitetit Metropolitan.
“Unë e kuptoj që objekti është pikë epokale e asaj zone por debati në interesin tim do përqendrohej më tepër në nevojën e rivitalizimit të zonës . Ju keni zgjedhur skemën e bashkëpunimit me sektorin privat, esencialisht kjo skemë nuk është nje skemë që duhet paragjykuar", arkitekti Flamur Kuçi,
Ndërkohë, pavarësisht se mendimet e arkitektëve pjesëmarrës në dëgjesë ishin të gjithë pro shembjes së godinës ekzistuese dhe ndërtimit të një godine të re, jo të gjithë arkitektët mendojnë kështu. Para disa kohësh, vetë artistët dhe një grup prej tre arkitektësh kanë prezantuar variantin e tyre për Teatrin Kombëtar përballë projektit të qeverisë. Projekti i hartuar nga tre arkitektë: Vladimir Bregu, Drilon Zaimi dhe Ejona Belegu parashikon rikonstruksionin e Teatrit me vlerë 10 milionë euro, në një godinë me 8 hyrje me 460 vende.
Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi diskutimin hapje negociatash mes bashkisë, institucioneve të tjera dhe komunitetit të artistëve.
Veliaj tha se pas dëgjesës së javës së shkuar me komunitetin e artistëve janë ulur tonet. “Ne kemi pasur një komunikim shumë intensiv dhe pas dëgjesës më vjen mirë që konstatoj disa gjëra. Së pari që kemi ulur tonet dhe të arrijmë të kuptojmë që kjo tavolinë dhe tavolina e para tre ditësh përfaqëson ajkën e këtij qyteti.Ajo që zbulova nga dëgjesa është që kishte shumë më shumë konsensus sesa e mendoja. Mbizotëron ideja që patjetër duhet të kemi një teatër të ri, por si do ta kemi dhe në çfarë parametrash. Këto janë detaje që janë pjesë e një negocimi”, tha ai.
Megjithatë, duke mbrojtur idenë e ndërtimit të një teatri të ri, tha se në vende të tjera të botës, ndërtesa të ngjashme kanë pasur kosto tepër të madhe.
“Ne bëmë një kërkim se sa kërkonte një rikonstruksion i veprave të ngjashme. Kostoja ka qenë prohibitive, po për një ndërtesë që është 90% e degraduar, si mund të jetë?”, tha ai.



