
BE mund të jetë e begatë edhe nëse përbëhet nga vende të vogla të pavarura, thotë ish-lideri i arratisur katalanas, Carles Puigdemont, në një intervistë me ish-presidentin e Ekuadorit, Rafael Correa, në RT, versioni spanjisht.
Ish-presidenti katalanas rezulton ende i kërkuar në Spanjë për organizimin e referendumit për pavarësinë e Katalonjës dy vjet më parë. Zërat që kundërshtuan pavarësinë katalanase erdhën jo vetëm nga Madridi, por edhe nga Brukseli.
Për shembull, Presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se do të ishte e pamundur të administrohej BE, nëse do të kishte 98 anëtarë, gjë që, siç parashikonte ai, përfundimisht do të ndodhte nëse Katalonjës do t’i lejohej të bënte atë që dëshironte. Puigdemont thotë se kjo mënyrë arsyetimi ka një të metë të dukshme.
Ai u është referuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pretendente për anëtare të BE-së, por duke shtuar edhe Kosovën.
"Ata na thanë:" Nëse pranojmë Skocinë, Katalonjën, Flandrën (pjesa veriore e Belgjikës, që flet holandisht dhe një nga komunitetet, rajonet dhe zonat gjuhësore të Belgjikës) - kjo do të ishte shumë e ndërlikuar ". Ne mund ta pranonim këtë, por në të njëjtën kohë BE po kërkonte të zgjerohej nga 28 në 30 apo 32 vende anëtare", është shprehur ai.
"Ata po negociojnë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësimin e tyre". Puigdemont ka theksuar se BE-ja mund të jetë një bashkim funksional me banorë të pasur dhe të lumtur, edhe nëse përbëhet nga vende të vogla.



