
Shumë shpejt, iPhone do të mund të njoftojë ekipet e ndihmës së shpejtë lidhur me vendndodhjen e personit që ka nevojë.
Përditësimi i ardhshëm i sistemit operativ në vjeshtën e këtij viti do të bëjë të mundur që kushdo që i telefonon numrit të emergjencës 911, të lokalizohet menjëherë.
Objektivi i kompanisë ”Apple” është të ndihmojë në rritjen e efikasitetit të ndihmës së shpejtë, duke vënë në shërbim të saj opsionet e reja.
Rreth 80% e telefonatave në numrin 911 bëhen nga smartfonët, por infrastruktura e vjetëruar e rrjetit fiks e bën të vështirë për ekipet e ndërhyrjes së shpejtë lokalizimin me saktësi të atij që ka nevojë për ndihmë.
Sistemi që do të përdorë “Apple” dialogon me programet e qendrave të emergjencës 911 për t’i dhënë informacionin e saktë të vendndodhjes. “Apple” garanton se kjo nuk do të cenojë privatësinë e përdoruesve.
“Komuniteti ka besim te 911-a në raste emergjence. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se ata duhet të kenë në dispozicion teknologjinë më të mirë që ekziston”, tha drejtuesi i “Apple”, Tim Cook.
“Në situate ku çdo sekondë ka vlerë, këto instrumente do t’i ndihmojnë ekipet e ndihmës së shpejtë të arrijnë pa vonesë te përdoruesit e aparateve tona në rast nevoje”, shtoi ai.



