Pilku: Shqipëria s’ka përcaktuar ende modelin e saj bujqësor, mungojnë politikat orientuese dhe incentivat (VIDEO)

Pilku: Shqipëria s’ka përcaktuar ende modelin e saj bujqësor, mungojnë politikat orientuese dhe incentivat (VIDEO)

Kriza e çmimeve në bujqësi, rënia e prodhimit dhe mungesa e mbështetjes për fermerët po shfaqen gjithnjë e më shumë si problematika që prekin jo vetëm prodhuesit, por edhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. 

 

Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku, për MCN TV, u shpreh se të dhënat e fundit tregojnë një rënie të prodhimit bujqësor dhe mungesë të një modeli të qartë se ku duhet të orientohet bujqësia shqiptare. Sipas tij, prodhimi bujqësor ka shënuar një rënie prej rreth 2%, ndërsa disa prej sektorëve kryesorë kanë pësuar tkurrje më të ndjeshme.

 

Prodhimi bujqësor ka 2% rënie. Nga njëra anë kemi një rritje të lehtë të prodhimit të perimeve në fushë të hapur, ndërkohë që kemi rënie të prodhimit të grurit me 10.1%, rënie të kultivimit dhe prodhimit të patates, ndërsa një nga problematikat më të mëdha është rënia e prodhimit të pemëve frutore dhe ullirit, si edhe një rënie e lehtë e prodhimit në sera. Pra, akoma Shqipëria nuk po përcakton se cili është modeli i saj bujqësor dhe kjo duket qartë edhe në bazë të statistikave.

 

Eksperti theksoi se përcaktimi i modelit bujqësor duhet të jetë pjesë e politikave të qarta shtetërore, të cilat sipas tij duhet të bazohen te kërkesa e tregut vendas dhe atij të huaj. Pilku argumentoi se mungesa e orientimit po krijon një situatë kontradiktore, ku në disa raste prodhohet më shumë nga sa kërkon tregu, ndërsa në raste të tjera nevojat plotësohen përmes importeve.

 

Modelin bujqësor duhet ta përcaktojnë politikat bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë, të cilat duhet të mbështeten te kërkesa e tregut të brendshëm dhe të jashtëm. Ne nuk kemi një përcaktim të qartë të strukturës bujqësore dhe blegtorale, ndaj shpesh prodhojmë një sasi më të madhe sesa është tërheqja e tregut të brendshëm dhe të jashtëm, ndërkohë që kemi mungesë të disa produkteve dhe ato po zëvendësohen nga importi.

 

Pilku u ndal edhe te zhvillimet në sektorin e blegtorisë, duke vënë në dukje rënien e numrit të bagëtive të imëta, derrave dhe shpendëve.

 

Jo vetëm në bujqësi, por edhe në blegtori kemi rënie të bagëtive të imëta, të derrave, të pulave dhe të gjitha këto ndikojnë në ekonominë tonë. Këto duhet të studiohen nga politikat bujqësore, duke përcaktuar se cilat janë produktet që po penetrojnë tregun shqiptar përmes importit dhe cilat janë produktet ku ne mund të jemi konkurrues, sepse flasim shpesh për ambicien që Shqipëria të bëhet lider në eksporte, ndërkohë që nga viti 2024 kemi rënie të eksporteve”, u shpreh eksperti.

 

Një tjetër problematikë e evidentuar prej tij është edhe mënyra se si janë administruar tokat bujqësore, përfshirë tokat e pandara, të cilat sipas Pilkut janë dhënë me kontrata qiraje, por në disa raste nuk janë shfrytëzuar.

 

Edhe ato toka bujqësore që ishin të pandara, ne i dhamë me kontrata qiraje sipërmarrësve që nuk i kanë shfrytëzuar. Nëse do të bënim një gjë të mirë për këtë vend, do të ishte shfuqizimi i këtyre kontratave. Shumë vende në Evropë funksionojnë me ferma të vogla dhe ajo që duhet të bëjmë është të krijojmë incentiva të mëdha që fermerët të bëhen bashkë”, deklaroi Pilku.

 

Eksperti e konsideroi të pamjaftueshëm nivelin e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke theksuar se Shqipëria vijon të ketë një nga buxhetet më të ulëta në rajon për këtë sektor.

 

Jemi një nga vendet me buxhetin më të ulët në Ballkan për bujqësinë. Ne jemi në vlerat e rreth 45 milionë eurove subvencione dhe grante, ndërkohë që struktura në bujqësi mungon. Ne nuk jemi konkurrues dhe nuk po shfrytëzojmë potencialin që kemi për të qenë konkurrues. Na mungojnë politikat e mira orientuese dhe duhen incentiva”, tha ai.

 

Pilku solli si shembull edhe rritjen e importeve të produkteve bujqësore, duke e cilësuar problematike faktin që në tregun shqiptar mbërrijnë produkte që mund të prodhohen edhe në vend.

 

Është e pafalshme që në Shqipëri të kemi import domatesh nga Turqia. Kemi braktisje të fshatit dhe mungesë të fuqisë punëtore, çka sjell rritje të kostos së prodhimit, por kjo nuk mund të zgjidhet pa një orientim të qartë dhe pa asistencë për fermerët. Kam vetëm 48 orë që jam kthyer nga Gjermania dhe, nga një vrojtim i tregjeve bujqësore atje, domatja në tregun e pakicës kishte një kosto prej 5.7 eurosh. Ne nuk kemi një orientim për fermerët, asistencë teknike dhe standardet që fermerët duhet të plotësojnë për të penetruar në tregun evropian. Pra, nuk mjafton vetëm të prodhosh, por duhet të dish çfarë kërkon tregu dhe të kesh mbështetjen e duhur për të arritur atë treg.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy