Raporti vjetor i SPAK nxjerr në pah se procesi i prokurimeve publike ka funksionuar jo si një instrument ligjor për investime, por si një mekanizëm për përfitime të paligjshme.
Hetimet kanë evidentuar manipulime në çdo fazë të prokurimeve: “Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar, ndërsa ofertat konkurrentëve keqvlerësoheshin ose eliminoheshin/skualifikoheshin qëllimisht. Kontrolli formal shpesh nuk ishte kryer nga personat kompetentë, duke lejuar një përputhje të planifikuar mes operatorit të preferuar dhe procedurës.”
Shpërndarja e fondeve përfshinte edhe shërbime të sajuara ose të zmadhuara artificialisht, duke përfshirë projekte me donatorë ndërkombëtarë, duke cenuar barazinë dhe transparencën.
Raporti gjithashtu thekson se korrupsioni është i organizuar dhe i planifikuar në nivele të ndryshme të administratës publike.
Hetimet kanë treguar se korrupsioni në institucionet publike është i strukturuar dhe i planifikuar, duke përfshirë funksione të ndryshme administrative dhe publike. Në rastet e prokurimeve dhe legalizimeve të pronave, zyrtarët përfitonin nga ana monetare për të favorizuar procedurat, duke bashkëpunuar me operatorë ekonomikë dhe duke manipuluar dokumentacionin dhe fondet limit të tenderave.
Në sektorin e policisë dhe kontrollit doganor, skemat përfshinin korrupsion aktiv dhe pasiv, ku shpërblimet jepeshin për të shmangur kontrollet dhe për të lehtësuar aktivitetet e paligjshme. Këto veprime siguronin rezultate të parapërcaktuara dhe kanë cenuar konkurrencën dhe transparencën në shërbim të interesave të individëve të përfshirë.
Raporti i SPAK nënvizon se duhet një monitorim i rreptë dhe masa të qarta për të garantuar transparencën dhe për të parandaluar shpërdorimin e fondeve publike.



