
Me 67 vota për dhe 30 vota kundër është zgjedhur Qeveria e re në krye me Albin Kurtin.
Pas një debati që ka zgjatur më shumë se dy orë e gjysmë, deputetët e mazhorancës (Vetëvendosje dhe komunitetet joserbe) kanë votuar Albin Kurtin për kryeministër dhe kabinetin e tij, i cili do të ketë tre zv.kryeministra dhe 14 ministra.
Kryeministri i zgjedhur i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se nga dita e sotme është kryeministër i tërë qytetarëve të vendit, duke falënderuar të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka deklaruar se secila votë që i është dhënë Lëvizjes Vetëvendosje është për ta kthyer vendin për së mbari.
“Kjo është përgjegjësi e madhe andaj pritet që të jeni të përgatitur mirë. Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët, ashtu edhe ua marrin. Ne do të udhëheqim me parime dhe besim. Duhet të punoni për aq sa keni mandat që të dëshmoni se jeni meritor në pozitat që jeni vendosur”, ka deklaruar Kurti duke iu drejtuar ministrave të zgjedhur.
Në fjalën e tij përmbyllëse kryeministri, Albin Kurti tha se vendimet që do t’i merr do të bazohen në fakte dhe shkencë.
“Deri dje isha kandidati i një subjekti kurse nga sot kryeministër dhe s’ka dyshim që këto zgjedhje ishin historike andaj sot sa jam mirënjohës ndjehem i përulur.Vendimet do t’i bazoj në fakte dhe shkencë, qeveria dhe institucionet janë të qytetarëve. Këtë duhet ta ketë parasysh secili zyrtar qeveritar dhe duhet ta kuptoni që në institucione jeni zgjedhur për të shërbyer dhe jo për t’u rehatuar. Vendin tonë muk mund ta bëjmë nëse rrimë, vendi bëhet nga ata që punojnë dhe shpikin gjëra. Qeveria do të bashkpunojë ngushtë me opozitën dhe shoqërinë civile dhe ndaj Serbisë duhet të jemi të bashkuar, andaj na duhet koordinim sidomos ndaj Serbisë dhe në dialog dhe do të kërkojmë diskutim parlamentare”, shtoi ai.
Në kohën kur kryeministri i ri Albin Kurti, do bënte betimin, deputetet e PDK-së dhe LDK-së janë larguar menjëherë nga Kuvendi i Kosovës, pas votimit të qeverisë Kurti 2.

Deputetët e opozitës kanë votuar kundër qeverisë së re të Kurtit, për shkak se e kanë konsideruar atë si jo të gatshëm që të qeverisë vendin dhe për shkak se nuk ka programin e duhur qeverisës për vendin.
Në votim kanë marrë pjesë 117 deputetë, ku 67 e tyre kanë votuar pro dhe 30 vota kundër.



