Një reper rus 27-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij për të shmangur luftën e nisur nga Vladimir Putin në Ukrainë, pasi më parë kishte thënë se “nuk ishte gati të vriste për asnjë ideal”.
Sipas New York Post duke cituar agjencinë e lajmeve në gjuhën ruse 93.ru, Ivan Vitalievich Petunin (i njohur edhe me emrin skenik “Walkie”) u gjet i vdekur të premten pasi u hodh nga një pallat në qytetin e Krasnodarit.
Vdekja e reperit u konfirmua nga e dashura dhe nëna e tij, të cilat folën me një gazetar të 93.ru.
Petunin bëri vetëvrasje duke u hedhur nga kati i 10-të. Para aktit fatal, sipas mediave vendase, i riu rus kishte filmuar veten duke dërguar një mesazh zemërthyer, i cili u publikua në llogarinë e tij në Telegram.
“Nëse e shikoni këtë video, atëherë nuk jam më gjallë”, shihet 27-vjeçari duke thënë në rusisht.
Unë nuk mund dhe nuk dua ta ngarkoj shpirtin tim me mëkatin e vrasjes. Nuk jam gati të vras për asnjë ideal.
Të vrasësh qoftë në kontekstin e luftës apo jashtë saj është diçka që nuk mund ta bëj. Unë mendoj se mobilizimi i pjesshëm ushtarak do të bëhet total brenda pak ditësh.
Në mesazhin e tij të lamtumirës, Petunin u kërkoi falje të dashurve të tij, duke u shpjeguar se ka raste kur dikush duhet të vdesë për Parimet e tij.
Walkie kishte afro 40.000 dëgjues mujor në Spotify dhe kënga e tij “Neurotoxin” kishte afro 2 milionë transmetime. Sipas faqes së tij në Bandcamp, artisti i ri ka prodhuar muzikë që nga viti 2013.
Sipas New York Post, Petunin ka shërbyer më parë në ushtri dhe ishte shtruar në një spital psikiatrik.
Në një letër drejtuar të dashurës së tij, Petunin kishte shkruar se, për shkak të “referendumeve” të manipuluara ruse që çuan në aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës javën e kaluar, “të gjithë do të përfundojnë në vijën e parë”.
Njerëzit me kushte psikosociale më të këqija se të miat tashmë po dërgohen atje pa asnjë hezitim.



