
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis thotë se Greqia, një pikë hyrëse për gazin natyror në Mesdheun Lindor, mund të luajë një rol kyç në ndihmën që mund t’i japë Evropës për të arritur autonominë energjetike, duke pasur parasysh vendndodhjen e saj dhe investimet si një terminal i ri LNG në Veri.
Pas luftës në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka kërkuar rrugë të reja të gazit natyror dhe burime alternative të energjisë pasi kërkon të ulë varësinë nga gazi rus për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
“Kur bëhet fjalë për gazin nga Mesdheu lindor, unë mendoj se duhet të shikojmë të gjitha opsionet dhe duhet të gjejmë mënyrën më ekonomike për transferimin e gazit që ekziston në Qipro ose Izrael në tregun evropian,” tha Mitsotakis në një intervistë për Reuters.
"Çfarëdo zgjidhje që mund të parashikohet, sigurisht që do të përfshijë Greqinë," u shpreh ai.
Greqia ka një terminal të gazit natyror të lëngshëm dhe po planifikon të ndërtojë dy objekte të tjera LNG, një prej tyre një strukturë lundruese në qytetin verior të Aleksandoupolit.
Ajo ka zgjeruar rrjetin e saj të energjisë për të qenë në gjendje të shfrytëzojë më shumë energjinë e rinovueshme. Një lidhje gazi me Bullgarinë gjithashtu pritet të jetë gati muajin e ardhshëm, tha ai.



