
Kryeministri Edi Rama iu rikthye çështjes së Teatrit në konstituimin e këshillit të ri bashkiak të Tiranës foli edhe për Teatrin Kombëtar. Rama ripërsëriti se restaurimi i ndërtesës është i pamundur për shkak të materialit me të cilin është ndërtuar.
“Edhe sikur të donin ta ruanin dhe ta restauronin ngrehinën e sotme të teatrit, do ishte i pamundur dhe i kotë. Materiali i ngrehinës është me jetëgjatësi të paracaktuar dhe jo tradicional, përdorur nga ushtria italiane për të kënaqur njerëzit pas pune. I kotë deri në absurd sepse përveçse s’ka një vlerë nuk ka as hapësira të caktuara për të përmbushur kushtet për trupën dhe spektatorët e një teatri kombëtar", tha ai.
Kreu i qeverisë shtoi se ka zgjedhur rrugën e vështirë, atë të përballjes me atë që ai e quajti baltë në fytyrë, për projektin e ri.
“Për ata që janë mësuar me hilet para rregullave duhet thënë se nëse ne do ta konsideronin idenë e ruajtjes jo duke restauruar këtë ngrehinë, por duke e shembur dhe duke e rindërtuar pikë për pikë po këtë, por këtë herë me materiale të qëndrueshme, kjo do i kushtonte shumë më pak sipërmarrësit privat. Do merrte konsensusin e atyre, që sot në pakicë vazhdojnë të protestojnë në emër të disa vlerave imagjinare. Do na kursente edhe baltën ne, që po e marrim në fytyrë dhe energjitë që po shpenzojmë. Por do ishte krejt e padrejtë për të nesërmen dhe brezat e tjerë. Edhe në këtë rast ne kemi zgjedhur rrugën e vështirë”, tha Rama.



