Një shofer ambulance u vu në pranga pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Kjo është bërë shkak për një aksident, në të cilin janë përfshirë edhe 3 mjete të tjera.
Islam Alla, 47 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i një autoambulance i njëri prej materniteteve të Tiranës, duke drejtuar autoambulancën, në zonën e Kodrës së Diellit, ka përplasur tre mjete, e për pasojë ka patur dëme materiale.
Policia Rrugore i ka bërë drejtuesit të autoambulancës testin e alkoolit me aparat Dragger, ku ka rezultuar se Islam Alla drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit në masën 1.00mg/l.
Gjithashtu janë kryer veprimet e nevojshme administrative dhe përpiluar dokumentacionet për siguracion për zhdëmtimin e tre mjeteve të përplasura nga ky drejtues mjeti.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, për veprën penale "Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt".



