
Rikthejmë shërbimin ushtarak dhe civil për tu rikujtuar djemve tanë, se përvec të drejtave kanë edhe detyrime. A jeni dakord? Me këtë status të shpërndarë në rrjete sociale, ministri i Brendshëm, Mateo Salvini, propozoi rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Propozim që nuk është pëlqyer aspak nga kolegët e tij të kabinetit qeveritar. Kundërshtimi i parë erdhi pikërisht nga ministrja e Mbrojtjes, Elizabeta Trenta, e cila e konsideroi një ide romantike. Burime nga ministria kanë thënë për mediat italiane, se Trenta e ka theksuar se forcat e armatosura janë dhe duhet të jenë profesionistë. Dhe për këtë kërkon mirëkuptimin e Salvinit. Ndërkohë që edhe më herët Ministria e Mbrojtjes pati thënë se shërbimi ushtarak është diçka së cilës i ka kaluar koha.
Po si e argumentoi Salvini propozimin e tij?
"Bëjmë mirë të studiojmë kostot, taktikat dhe kohën fizike për të vlerësuar se si të rikthejmë shërbimin e detyrueshëm disamujor ushtarak, shërbimin civil për djemtë dhe vajzat tona. Kështu të paktën do të mund t'u mësojmë disiplinën edukative, atë që prindërit nuk janë në gjendje t'ua mësojnë", pati thënë Salvini. Kjo nuk është hera e parë që qeveria italiane rikthen në diskutim shërbimin ushtarak të detyrueshëm, të hequr që prej vitit 1985. Edhe më herët, qevedia e Masimo Dalemës dhe ajo e Berluskonit, patën tentuar ta rikthejnë përmes nismave ligjore, të cilat dështuan më pas.



