
WhatsApp do të ketë kohë deri më 15 maj për t'u dhënë përgjigje të qarta autoriteteve të BE-së për privatësinë pas përditësimit të politikave për ndarjen e të dhënave me Facebook dhe për të informuar në mënyrë adekuate përdoruesit. Lajmin e bën të ditur ANSA, e cila u referohet burimeve që kanë dijeni në lidhje me këtë çështje.
Javën e ardhshme, komiteti i BE-së për privatësinë (EDPB) do të diskutojë çështjen e ngritur nga Garantuesi Italian i Privatësisë, i cili akuzoi WhatsApp për mungesë qartësie dhe transparence në mesazhet e dërguara përdoruesve, javët e fundit, për t'i informuar ata në lidhje me mënyrën si do të përpunohen të dhënat e tyre.
Fillimisht, afati i fundit për marrjen e informacionit nga WhatsApp ishte caktuar për 8 shkurt, ditën kur rregullat e reja të aplikacionit të mesazheve, në pronësi të Facebook, duhet të nisin nga zbatimi.
Por autoritetet e BE-së për privatësinë janë ende në dialog me rrjetin social dhe kanë vendosur të shtyjnë afatin.



