Gazetari Sokol Bregu i ftuar në MCN Live foli për ngjarjen e 4 korrikut, ku u qëllua me breshëri drejt Gentjan Bejtës dhe si pasojë humbi jetën kunati i tij dhe mbetën të plagosur dy fëmijë 10 dhe 13 vjeç. Ditën e djeshme policia ndaloi Valter Bamin për këtë ngjarje, kjo pasi ka gjetur shenja baruti në duart e tij. Sipas Bregut në ngjarje ka qenë një dëshmitar, kushëriri i viktimës i cili ka thënë se kanë qenë tre persona që kanë qëlluar me breshëri, dhe duke iu referuar kësaj dëshmie duhet të ishte gjetur barut dhe në dy persona të tjerë. Megjithatë sipas gazetarit personat që kanë qëlluar drejt Gentjan Bejtes janë persona që jetojnë në Nikël pasi për të hyrë dhe për të dalë nga kjo zonë është shumë e vështirë pa rënë në sy të personave rezidentë. Më tej Bregu tha se saga e vrasjeve në këtë zonë do të vazhdojë, pasi kjo ngjarje ka turbulluar atë. Sipas tij fiset që jetojnë në Nikël nuk besojnë në drejtësi, por vetëgjyqësi dhe këtë të fundit nuk e ndal dot askush. “Ka ndodhur në një zonë që është problematike. Kjo do të turbullojë ujërat jo vetëm në Fushë Krujë por edhe më gjerë sepse aty është udhëkryq i gjithë krimit në Shqipëri. Është vendtakim i shumë organizatave kriminale. Çdo gjë lidhet me Fushë Krujën dhe nuk është bërë një analizë pse ndodh kjo. Shumë personazhe të krimit sot vijnë nga ky vend. Nikla i ka të gjithë të fortë, çdo familje ka të fortët e vetë dhe çdo fis ka 3-4 më të fortë se të tjerët. Kushërinjtë Bamit janë personat më të theksuar në kohët e fundit. Çdo krim i madh që ndodh në Tiranë, makina fshihet gjithmonë në Fushë Krujë. Krimet më të mëdha në Tiranë gjithmonë automjeti është djegur në Fushë Krujë. Në atë ngjarje u qëlluan dy fëmijë dhe humbi jetën një djalë i ri dhe është një situatë shumë e tendosur. Presin a do të merret hak, a do ketë vështirësi. Për Valter Bamin do të isha shumë i kujdesshëm ai është gjetur me shenja baruti në dorë dhe është ndaluar. Mirëpo mos të harrojmë që jemi në një zonë që përdorin armën dhe për qejf. Kjo s’do të thotë që u gjet shenjë baruti në duar dhe është ky personi. Edhe vetë shënjestra ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale. Ajo që nuk ku7ptoj është që ata vrojtojnë mirë kur duan të ekzekutojnë, si ka mundësi që morën guximin kur kishte dy fëmijë, jo kur kishte kunatin. Për mendimin tim besoj se saga e vrasjeve do të vazhdojë, sepse nuk janë njerëz që i besojnë ligjit, duan vetëgjyqësi. Në zonë nuk bashkëpunon njeri me drejtësinë. Kjo ka ndodh nga njerëz aty brenda, sepse është zonë e vështirë në Nikël të hysh e të dalësh. Valter Bami është ndaluar nga policia ...në ngjarje ka patur një dëshmitarë, kushëriri i viktimës, ai thotë që kanë qenë tre persona dhe të tre po qëllonin. Ai ka shquar tre persona që nuk i njeh. Policia në shoqërimet që ka bërë, vetëm një personi i ka gjetur shenja baruti, pra do të duhej dhe dy persona të tjerë që duhet të kishin shenja baruti. Ai e mohon këtë akuzë. Këta dhe po të kenë kamera nuk ja japin policisë. Vetëgjyqësinë nuk e ndalon dot askush. Është një çështje mentaliteti. Këta janë të gjithë siç i gjen sot me shumë para i gjen nesër me zero lekë. Merren me aktivitete të ndryshme, por ashtu siç i marrin paratë i shpenzojnë të nesërmen. Nuk ka vrasës të lindur, janë bërë për shkak të kushteve. Ende vazhdon që një prej fëmijëve është në spital dhe shpresoj që do të bëhet mirë, por trauma e tij nuk ka për tu shëruar kurrë. Po ta mendosh nuk është nga ata që do shkojë te psikologu më vonë, por ai do rritet në familjen e tij me ndjenjën e hakmarrjes.”, u shpreh Bregu.



