Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, ka bërë me dije masat e reja shtesë, si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus në Shqipëri.
Komiteti i Ekspertëve ka dalë në përfundimin që universitetet të zhvillojnë mësim vetëm onlinë, për një muaj. Konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë.
Gjithashtu po vlerësohet dhe mbyllja e bareve dhe restoranteve pas orës 22:00 në zonën e bllokut.
“Situata epidemiologjike në lidhje me infeksionin Sars-Cov2 dhe sëmundjen Covid-19 ashtu si në të gjitha vendet e botës, edhen ë Shqipëri paraqitet me një rritje të numrit të rasteve javët e fundit, gjë që është reflektuar edhe në shifrat e incidencës, 130 raste për 100 mijë banorë. aktualisht në vend kemi 500 vatra aktive dhe 35% e tyre janë në Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendeshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura.
Komiteti ka vlerësuar se është e nevojshme që të kemi masa shtesë. Në mbledhjen e komitetit të ekspertëve, është analizuar situata dhe risqet, kemi analizuar situatën në Europë e botë, ecurinë e virusit, kemi vendosur të propozojmë unanimisht që në universitete të zhvillohet vetëm mësim online për të paktën 1 muaj. Konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë. Komiteti teknik po vlerëson mbylljen e bareve në zonën e Bllokut pas orës 22:00, sepse është një zonë me shumë grumbullime gjatë natës. Nëse nuk kemi disiplinë do rrezikojmë mbylljen”, ka thënë Rakacolli.
Rakacolli ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.
“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.



