Musk me parti politike, Nano: Reagim emocional pas konfliktit me Trump, projekt jo serioz politik

Musk me parti politike, Nano: Reagim emocional pas konfliktit me Trump, projekt jo serioz politik

Analisti Mustafa Nano, në një intervistë për MCN, komentoi deklaratën e Elon Musk për krijimin e një partie të re politike në SHBA, duke e cilësuar si një lëvizje emocionale pa ide të mirëfillta politike, nëse nuk llogarisim shqetësimin e tij për rritjen e borxhit publik e ndonjë shqetësim tjetër të kësaj natyre.

Nano thekson se Musk nuk përfaqëson një kërcënim të vërtetë për dy partitë tradicionale, por hyrja e tij në zgjedhje mund të dëmtojë Partinë Republikane. Ai shton se nuk është ende e qartë si do të sillet Musk si politikan, pasi publiku e njeh vetëm si biznesmen.

Më tej, Nano u ndal edhe në çështje të tjera ndërkombëtare si lufta në Gaza, ku vlerëson se ka krime lufte nga Izraeli, por nuk e konsideron situatën si gjenocid. 

Përsa i përket ri-islamizimit tek të rinjtë në Shkodër, Nano tha se Islami po gëzon një momentum të vetin, por sipas tij mbetet një fe konservatore dhe e prapambetur që nuk i përgjigjet kohës moderne.

Intervista e plotë:

-Z. Nano, Elon Musk njofton një parti të re duke deklaruar se do tu kthejë lirinë amerikanëve. Për cilat liri është fjala pasi z. Musk u akuzua se tentoi të merrte të gjithë bazën e të dhënave të fondit të sigurimeve në SHBA? 

-Në SHBA ekziston rreziku i autoritarizmit sepse Trump po luan në mënyrë agresive në politikën e brendshme, por kjo lëvizje mund të konsiderohet edhe thjesht inatçore. Është lëvizja politike e një njeriu të zemëruar, gjë që duket te fakti se ideja për një parti të re i lindi pas konfliktit me Trumpin. Nuk duket se është njeriu i duhur për të bërë lëvizje të tilla. Ai ka dëshmuar se është inovativ si biznesmen, por në politikë, për aq sa qëndroi, nuk demonstroi ndonjë gjë kushedi se çfarë.

-E shihni në mënyrën si zhvillohen sot fushatat zgjedhore, Elon Musk një kërcënim për dy partitë e tjera tradicionale në SHBA? 

-Ai mund të dëmtojë partinë Republikane dhe nëse futet në zgjedhjet midterm të vitit te ardhshëm ai sigurisht nuk mund të fitojë sepse është koha shumë e shkurtër. Por dëmin e bën të madh edhe sikur te marrë disa senatorë. Nëse kjo ndodh, atëherë Trumpi humbet maxhorancën në Senat, e ndoshta edhe në dhomën e përfaqësuesve. Kështu, Trumpit do t'i bëhej e vështirë të drejtonte Amerikën.

-Si e vlerësoni presidencën Trump deri më tani: z. Trump bën shumë zhurmë, por në të vërtetë nuk ngjan të jetë në thelb radikal. U tërhoq nga tarifat, negociata për NATO-n, madje edhe për Iranin u raportua se ishte kundër sulmit. Çfarë politike e jashtme është kjo mendoni ju?

-Trump deri tani ka tundur flamurin e njeriut të paqes, por nuk duket edhe aq shumë si njeri i paqes dhe ai në ngjarjen e fundit u përfshi fare kollaj në konfliktin e Iran-Izrael pa u menduar gjatë dhe këtë nuk e bënë dikush qe do paqe. Por edhe nuk mund të thuhet se është tërhequr. Janë zhvillime në proces. Me Europën e Kanadanë po luan fort. Me Putinin ende nuk dihet se ai do finalizohet marrëdhënia. Etj.

-Z. Nano ju mendoni se në Gaza është bërë një genocid? 

-Kohën e fundit kemi parë që Netanahy është duke kaluar vijën e kuqe në një numër rastesh, por është e vështirë të flasësh për genocid. Akuza për genocid është e madhe dhe ekstreme. Lëre pastaj që kjo akuzë bëhet nga ata që kanë folur për genocid që në momentin e parë kur nisi sulmi. Unë nuk shoh genocid. Kemi ndoshta krime lufte, nëse kemi parasysh vrasjen e fëmijëve e grave, por Izraeli thotë ne tani jemi në luftë dhe lufta ka dëme anësore. Këtë luftë nuk e nisi Izraeli. thotë që ka një alibi për të vazhduar luftën. Sidoqoftë, përsëris, Netanahy është duke e shkelur vijën e kuqe, dhe po i sëkëlldis shumë mbrojtësit e tij nëpër botë.

-Po që Netanyahu është një kriminel lufte? 

-Mendoj se janë dy gjëra të ndryshme. Edhe sikur të biem dakord se janë kryer krime lufte, jo domosdoshmërish këto krime lidhen me kreun e qeverisë. Pastaj, unë nuk jam dakord me kollajllëkun me të cilin një lider i zgjedhur shpallet kriminel lufte. Edhe me Putinin është bërë gabim. Është gabim përsa kohë që do jetë nevoja e tyre në çdo negociatë të mundshme të ardhshme.

-Si e analizoni qëndrimin e deritanishëm të Perëndimit ndaj Izraelit? 

-Perëndimi dhe Europa ka një qëndrim të ngrirë në kohë me Izraelin. Të gjithë mendojnë që hebrenjtë duhet të kenë vendin e tyre atje ku e kanë dhe mendojnë që Izraeli është i vetmi aleat i SHBA në Lindjen e Mesme dhe nuk do lejojnë që ai vend të zhduket. Perëndimi është nuni apo kumbari i Izraelit. Gjithnjë do ta mbrojë.

-Shihni ju një frymë në rritje antisemitizmi në Shqipëri për shkak të raportimit të kësaj lufte? 

-Ka një rritje antisemitizmi në të gjithë botën, por në Shqipëri do të ketë një frymë të tille që e lidh me origjinën fetare dhe ata e kanë këtë gjë pa qenë lufta. Kam parë që ka antisemitizëm, ekziston. Por në perëndim ka shumë më tepër.

-Një pyetje e fundit: dje kishim një intervistë të z. Myftari që fliste për një përhapje masive të Islamit te të rinjtë në Shkodër. Me çfarë duhet ta shpjegojmë këtë ri-islamizim të një pjese të rinisë? 

-Çdo vit në këto manifestimet publike që bëhen dhe këto faljet nëpër sheshe, krijohet ideja që sheh më shumë njerëz se viti i shkuar. Pastaj, më duket sikur shoh çdo ditë e më shumë femra të mbuluara në rrugë. Islami sot është duke gëzuar një lloj momentumi. Në një moment, kur bota është dhënë pas disa vlerave postmoderniste, me transgenderat, prindi një e prindi dy, etj, ka njerëz që e shohin Islamin si ideologji e nevojshme konservatore për të balancuar situatën e vlerave. Pastaj, kishat e zbrazura në Europë e kriza e krishterimit në Europë shoqërohet vetvetiu me rritje të Islamit. Por ky fakt mua nuk më gëzon. Unë e shoh Islamin si një ideologji të shekullit VII, ndërsa myslimanët i shoh si njerëz që kanë përqafuar një ideologji të prapambetur.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy