Çela: Problemi s’është Aruba, por pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave në Tiranë

Çela: Problemi s’është Aruba, por pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave në Tiranë

Gazetarja investiguese Lindita Çela, në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN,  foli mbi librin “Të Pamposhturit” të autorit italian Nella, i cili trajton aktivitetet e disa eksponentëve shqiptarë të përfshirë në krimin e organizuar, brenda dhe jashtë vendit. Çela theksoi se autori i librit është bazuar vetëm në dokumente zyrtare, dosje gjyqësore dhe hetime paraprake të institucioneve ligjzbatuese europiane.

 

Ajo konfirmoi se takimi i njohur si “takimi i Arubës” ka ndodhur mes datave 24 dhe 31 janar 2019, por sipas saj opozita po e përdor politikisht, duke e lidhur me kryeministrin, ndërkohë që mund të kërkojë një hetim të thelluar mbi këtë cështje.

 

Për Çelën, thelbi i problemit nuk është takimi i Arubës, por ndërtimi i kullave në Shqipëri si një nga mënyrat kryesore të pastrimit të parave. Ajo theksoi se raportet ndërkombëtare dhe agjencitë ligjzbatuese e kanë evidentuar këtë fenomen, ndërsa opozita dhe politika nuk e trajtojnë me seriozitet.

 

“Bëhet fjalë për autorin dhe gazetarin që ka prodhuar e ka përshkruar librin “Të Pamposhturit”.

 

Libri, të cilin kam pasur mundësinë ta lexoj, nuk trajton vetëm episodin e rrugës, por flet për një sërë eksponentësh shqiptarë.

 

Këta janë persona që kanë pasur rol të rëndësishëm ose aktivitete të caktuara në Itali apo në vende të Bashkimit Europian.

 

Gazetari Nela ka studiuar dosjet e vendimeve gjyqësore.

 

Përveç vendimeve të institucioneve ligjzbatuese, ai ka marrë edhe hetimet paraprake dhe mbi këtë bazë ka ndërtuar një cikël shkrimesh.

 

Nëse nuk gaboj, në libër trajtohen mbi dhjetë personazhe të rëndësishëm, eksponentë shqiptarë që në Shqipëri kanë pasur aktivitete dhe biznese të caktuara.

 

Në librin e tij, gazetari paraqet të gjitha faktet që disponon, duke u ndalur edhe te takimi i Arubës.

 

Në fakt, unë e kam publikuar në shteg.org që në momentin kur u publikua shkrimi i parë në Itali, i cili lidhej pikërisht me këtë takim.

 

Kam bërë publikimin e këtij takimi sepse isha në dijeni të fazave që e çuan gazetarin deri aty dhe e njoh për seriozitetin e tij në punë.

 

Ndonjëherë, në mediat italiane apo edhe në të tjera media, Shqipëria etiketohet padrejtësisht si e përfshirë në krimin e organizuar ose si vend me eksponentë të tillë — kjo është ajo që mund ta quajmë gazetari tabloidi.

 

Nga sa kam lexuar në libër dhe nga procesi i punës së gazetarit, gjithçka është bazuar në dokumente zyrtare që ai ka pasur mundësi të disponojë.

 

Pra, takimi në Arubë ka ndodhur.

 

Megjithatë, sipas mendimit tim, edhe nga ato që ju cituat nga deklaratat publike të eksponentëve politikë shqiptarë, ky takim i bën një lloj nderi të padrejtë kryeministrit të vendit, duke e lidhur me deklarata të ngjashme.

 

Sipas gjykimit tim, nuk ka prova që ta lidhin drejtpërdrejt kryeministrin me këtë çështje.

 

Opozita shqiptare, nëse e sheh të arsyeshme, ka të gjithë mekanizmat ligjore dhe institucionale për të kërkuar një hetim.

 

Por nuk mund të merret një libër i një gazetari dhe të shndërrohet në betejë politike të opozitës, sepse në të flitet për krimin e organizuar, për takime dhe për personazhe konkrete.

 

Në libër përmendet se kush ka marrë pjesë në atë takim.

 

Takimi është zhvilluar ndërmjet datave 24 dhe 31 janar të vitit 2019.

 

Në pjesën e dosjes që trajton gazetari, nuk përmenden “Black Eagle” apo elementë të tillë. Të paktën, në librin që unë lexova, nuk kishte informacione të tilla.

 

Të dhënat janë të konfirmuara nga Europoli dhe agjencitë ligjzbatuese gjermane e italiane.

 

Shumica e informacionit vjen nga biseda të përfshira gjatë hetimeve ndaj personazheve të caktuar. Ata flasin për një takim të tillë, por jo në kuptimin që i jep opozita.

 

Në lidhje me takimin në Arubë, unë do të doja ta zhvendosnim diskutimin tek çështja që ju e prekët vetëm kalimthi: ndërtimi i kullave.

 

Në atë takim thuhej se “pikërisht në këtë vend do të ndërtohen kulla”, por për fat të keq, as opozita nuk flet për këtë, edhe pse është një fenomen që na ka marrë frymën.

 

Në të gjitha raportet ndërkombëtare dhe ato të institucioneve ligjzbatuese që unë kam lexuar, ndërtimi i kullave shihet si një nga mënyrat kryesore të pastrimit të parave në Shqipëri.

 

Sipas të dhënave, intervistave dhe takimeve që citon gazetari, bëhet fjalë për ndërtimin e një kulle në qendër të Tiranës.

 

Kulla dhe vendndodhja e saj janë të identifikuara.

 

Është dhënë leje ndërtimi, por në libër nuk përmendet se çfarë është ndërtuar konkretisht.

 

Nëse një opozitë do ta përdorte këtë çështje, nuk do duhej të përqendrohej vetëm tek “takimi në Arubë”, sepse grupet kriminale mund të takohen kudo: në Arubë, te 15-katëshi, te 24-katëshi — kudo ku ata zhvillojnë aktivitetin e tyre.

 

Problemi i vërtetë nuk është takimi, por lidhjet mes personave që morën pjesë, të cilët kanë ndërmjet tyre biznese të ndryshme.

 

Gazetari, bazuar në dosjet, intervistat dhe përgjimet që ka pasur në dispozicion, tregon se si është zhvilluar takimi dhe çfarë kanë thënë të tjerët për të.

 

Këta janë persona që kanë lidhje mes tyre, por rëndësia qëndron tek fakti se po flitet për investime në kulla.

 

Unë do të doja që opozita dhe kryeministri i ardhshëm, që synon të vijë në pushtet, të hapnin një debat serioz për investimet e krimit të organizuar në ndërtim në Shqipëri.

 

Jo ta kufizojnë tek një individ i vetëm.

 

Për t’iu përgjigjur një pyetjeje tjetër: gazetarja ngre shqetësimin se përfaqësues të qeverisë Rama mund të kenë qenë të përfshirë. Ky dyshim bazohet gjithmonë në dokumentet që ka publikuar gazetari.

Por unë kam një paqartësi të madhe lidhur me këtë, dhe besoj se nuk jam i vetmi — një pjesë e mirë e njerëzve kanë të njëjtën paqartësi.”

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy