SPAK ka ndërmarrë një aksion të gjerë në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”, ku në fokus janë vendosur disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Në qendër të zhvillimeve është drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra. Ndërkohë, kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Duke folur për MCN Live, gazetari Arsen Rusta tha se masa ndaj Hysenit lidhet me dyshime për shkelje të ligjit dhe se hetimi tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme.
Vlora Hyseni, drejtuesja e SHISH, një ish-zyrtare e shkarkuar nga autoritetet e Vlorës, e mbrojtur dhe promovuar nga kryeministri asokohe, nga dita e sotme ajo është pezulluar. Nga ana tjetër ka dhe masë sigurie arrest në shtëpi, ndërsa ajo aktualisht ndodhet në Baku për një takim pune.
Sipas Rustës, paralelisht me masën ndaj Hysenit, SPAK dhe BKH kanë ndërhyrë edhe në banesën e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Ai theksoi se kontrollet janë kryer në një moment kur Proda ishte thirrur në SPAK për të dhënë deklarime.
Ndërsa SPAK dhe BKH kishin thirrur Prodën të jepte deklarime, sapo ai ka shkelur në zyrat e SPAK, BKH dhe Policia e Shtetit kanë bastisur banesën e tij për të kontrolluar çdo element që i shërben hetimit. Ka qenë pa praninë e një avokati, por me një cigare në dorë. Në arrest shtëpie janë dhe tre kontrolle, mes tyre dy efektivë policie që dyshohet për shkelje ligji në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Rusta e lidhi aksionin me hetimet që po zhvillohen për dosjen “AKSHI”, duke deklaruar se një pjesë e hetimit lidhet me informacionet që dyshohet se janë përcjellë nga Hyseni dhe mënyrën se si është përdorur institucioni që ajo drejtonte.
Veprimet lidhen me procedime të njohura si afera AKSHI, ku dyshohet se Vlora Hyseni ka dhënë informacione sekrete, ka vendosur SHISH në shërbim të Agasit. Për çfarë e kanë përdorur dhe ku janë provat që kanë bindur SPAK që kanë dalë në këtë masë sigurie, duhet ndjekur hap pas hapi. Gjithçka lidhet me dosjen AKSHI dhe kjo është një pjesë e dosjes, po hetohet në mënyrë intensive. Nga ana tjetër, SPAK dhe BKH janë duke punuar dhe ekzaminuar laptopë, telefona, USB. Dyshimet janë se aktiviteti kriminal ka qenë aktiv dhe i pandërprerë.
Rusta shtoi se, sipas dyshimeve që po hetohen, Hyseni mund t’i ketë dhënë informacione Ergys Agasit edhe gjatë periudhës kur ky i fundit ndodhej në arrati.
Këto janë elemente që, sipas raportimeve, janë pjesë e hetimit dhe mbeten për t’u provuar nga organet e drejtësisë. Raportime të publikuara gjatë ditës kanë bërë të ditur se Hyseni po hetohet për dyshime që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, ndërsa ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi”. SPAK në këtë dosje tregon se vijon të punojë me themel për të çrrënjosur një rrjet merimangë që kishte arritur të hynte në institucione të rëndësishme. Dyshohet se Vlora Hyseni është e kompromentuar nga krimi i organizuar dhe të mos harrojmë se, sa i përket rëndësisë së institucionit, prej muajsh të paktën Vlora Hyseni, SHISH, ishte shmangur nga çdo kontakt me SPAK, ishte distancuar për shkak të gjurmëve që ishin lënë lidhur me shpërdorimin e saj të detyrës
Sa i përket qëndrimit të Hysenit jashtë Shqipërisë, Rusta sqaroi se nuk bëhet fjalë për arratisje, duke theksuar se drejtoresha e SHISH ndodhet në Baku për shkak të një aktiviteti zyrtar.
Për të qenë korrekt, nuk kemi të bëjmë me arratisje të Vlora Hysenit, ajo ndodhet në Baku në kuadër të takimeve për shkak të punës. Vlora Hyseni vazhdon të jenë titullare, sepse duhet një vendim i Apelit për ta shkarkuar nga detyra, por aktualisht është e pezulluar. Të shohim kryeministrin Rama si do të sillet. Në rast se ai e shkarkon, atëherë kemi automatikisht emërimin e titullarit të ri. Akuzat zyrtare ende nuk janë zbardhur, aktualisht kemi të bëjmë me shpërdorim detyre.
Ndërkohë, lidhur me kontrollin në banesën e Ilir Prodës, Rusta tha se ish-drejtori i Policisë nuk kishte dijeni paraprakisht për kontrollin dhe se ai e kishte mësuar vetëm pasi kishte dalë nga ambientet e SPAK.
Në banesën e Ilir Prodës as vetë Proda s’e ka ditur që po i bëhej kontroll banesës, pasi ishte thirrur për t’u marrë në pyetje dhe e ka mësuar vetëm pasi ka dalë nga SPAK, por dyshimet janë se aty fshiheshin prova të rëndësishme lidhur me këtë hetim.



