Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Samaticë, një fshat në kufij mis tre qyteteve, Lushnjës, Beratit dhe Fierit. Fermerët kanë ditë që po ankohen për çmimin tejet të ulët që po u merret nga pikat e grumbullimit.
Ata kanë shumë problematika, që fillojnë nga rruga, që bëhet problem për ta nxjerrë prodhimin në treg. Në këtë zonë kilogrami i kastravecit shkon në 40-50 lekë, ndërsa në Tiranë e marrim me 150-200 lekë.
Prodhimi vendas dëmtohet po ashtu nga produktet e importit, dhe mungesa e subvencioneve. Fermerët u ankuan se po marrin “kredi për të larë kredinë”!
Fermeri Luli Çela duke folur për MCN TV shprehet: “Se kjo rrugë ka qenë edhe më keq, por tani është bërë me fondet personale të fermerit”.
"Po na ikin të gjithë nga ky vend. Këtu nuk po merret vesh se ça po bëhet, fermerët punojnë nga mëngjesi në darkë, vjen koha e shitjes katastrofë. Këtu të gjithë luajnë me çmimet. Po nuk vuri ministria një çmim javor, ose tre ditor...Grumbulluesit dalin nga fjala”, tha një fermer dhe banor i zonës.
“Ekspertët e ekonomisë janë out, i gjithë produkti që del nga zona jonë del informal. Defekti më i madh i ekspertëve është balancimi i TVSH-së. Një tregtar i Tiranës e merr me zero TVSH, dhe e shet me plus 20. Ky 20 për qindsh që kalon taksë në shtet paguhet nga fermeri dhe konsumatori. I gjithë malli është informal, s’ka asnjë kontroll nga shteti. Ka edhe abuzime nëpërmjet tregtarëve, që s’e marrin asnjëherë mallin me faturë TVSH-je. Një kg trangull duhet të jetë 50 lekë, poshtë 50 lekë jemi me humbje. Shteti duhet të ndërhyjë dhe të vendos një dysheme. Shteti të ndërhyjë me subvencione duke plotësuar dyshemenë. Kështu ndodh në gjithë Europën. Në momentin që bie vlera e shitjes nën kosto ndërhyn shteti me subvencione”, tha një tjetër.
Një tjetër fermer u ankua për taksën.
“Unë shpenzoj 50 milionë lekë në vit për hektarë. Qeveria na merr 5 milionë me taksë, dhe na kthen 4 milionë me subvencion! Na kërkon Rama të bëhemi bashkë si fermerë që të përfitojmë nga subvencionet. Rama dhe Meta ishin të dy bashkë dhe u ndanë”, u shpreh ai.
Një tjetër fermer u ankua se nuk lejohet krijimi i një SH.B.B-je me më shumë se 4 anëtarë.
Fermerët thanë që zhurma për pesticidet bëhet kur rritet çmimi i prodhimeve, dhe e gjitha është një lojë e tregtarëve për të ulur çmimet. “Ne gjithmonë po na hanë tregtarët. Tregtarët e eksportit, pikat e grumbullimit”, u shpreh një prej fermerëve.
Ata kërkuan që çmimet e produkteve të afishohen në tabelë elektronike nga pikat e grumbullimit.
“Ligji është që çdo subjekt duhet të afishojë listën e çmimeve. Nuk ka një listë të çmimeve. Duhet të afishohen në një tabelë elektronike çmimet sikur edhe ditor, nuk po themi javor. Tregu i fruta-perimeve është tërësisht informal”, tha një prej fermerëve.



