
Një apartament në katin e parë të një pallati në lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës u përfshi nga flakët, mëngjesin e sotëm.
Siç raporton për “MCN live”, korrespodenti nga Lezha, Juli Simoni, ngjarja ndodhi rreth orës 8:00 të paradites teksa kanë qenë banorët e tjerë të pallatit të cilët kanë vënë re se nga banesa e katit të parë po dilte tym.
Banorët kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen jashtë të një të moshuari i cili në atë moment ndodhej brenda.
I moshuari është nxjerrë në gjendje të rënduar për shkak të tymit dhe është dërguar në spitalin e Bulqizës për mjekim, por pak orë më vonë ndërroi jetë.
Ndërkohë pranë banesës ka mbërritur shërbimi zjarrfikës ku ka ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe pengimin e tij për të mos kaluar në apartamentet e tjera të pallatit.
Grupi hetimor është në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.



